Statuja e Greyfriars Bobby, simboli i besnikërisë së një qeni ndaj pronarit që nuk harrohet
Besohet se Greyfriars Bobby ishte një qen Skye Terrier që jetoi në shekullin e 19-të dhe u bë i famshëm për besnikërinë e tij pasi thuhet se ruajti varrin e pronarit të tij, rojes së natës John Gray, për rreth 14 vjet pas vdekjes së tij në vitin 1858
Edinburg
Statuja e Greyfriars Bobby, një nga historitë më të famshme të Edinburgut, vazhdon të tërheq vizitorë në kryeqytetin skocez, raporton Anadolu.
Besohet se Greyfriars Bobby ishte një qen Skye Terrier që jetoi në shekullin e 19-të dhe u bë i famshëm për besnikërinë e tij, pasi thuhet se ruajti varrin e pronarit të tij, rojes së natës John Gray, për rreth 14 vjet pas vdekjes së tij në vitin 1858.
Historia e qenit më vonë u lidh ngushtë me qytetin dhe e bëri Bobby-n një nga simbolet më të njohura të Edinburgut.
Pas ngordhjes së Bobby-t në vitin 1872, ai u varros pranë varrezave Greyfriars Kirkyard.
Një statujë bronzi u ngrit në vitin 1873 në hyrje të varrezave, në kujtim të këtij qeni besnik dhe sot statuja është një nga pikat më të fotografuara të qytetit.
Hunda e statujës është më e shndritshme se pjesa tjetër pasi vizitorët e prekin për fat të mirë, megjithëse autoritetet lokale dhe udhëzuesit turistikë herë pas here paralajmërojnë turistët të mos e vazhdojnë këtë praktikë për të shmangur dëmtimin e monumentit.
Vetë Greyfriars Kirkyard njihet gjithashtu për lidhjet e tij me kulturën popullore. Besohet se autorja J.K. Rowling vizitoi varrezat gjatë qëndrimit të saj në Edinburg dhe disa emra personazhesh në serinë Harry Potter mendohet se janë frymëzuar nga emrat e gjetur mbi gurët e varrezave.
Një nga gurët e varrit, që i përkiste një personi me emrin Thomas Riddell, vizitohet shpesh nga fansat për shkak të ngjashmërisë me emrin e personazhit Tom Riddle, i njohur gjithashtu si Lord Voldemort.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
