Starmer i jep fund bojkotit ndaj X-it pasi platforma "po vepron drejt përputhshmërisë me ligjin britanik"
“Liria e shprehjes nuk është liria për të shkelur pëlqimin. Imazhet e vajzave të reja nuk janë pronë publike dhe siguria e tyre nuk është për debat”, tha kryeministri britanik Keir Starmer
Londër
Kryeministri britanik Keir Starmer i dha fund bojkotit të tij ndaj kompanisë amerikane të medias sociale X, duke thënë se ajo po “vepron për të siguruar përputhje të plotë me ligjin britanik”, transmeton Anadolu.
Me një postim në platformë të enjten, Starmer u rikthye në X-in e miliarderit amerikan Elon Musk për herë të parë që nga 8 janari, kur ishte tërhequr nga rrjeti mes polemikave lidhur me mjetin e inteligjencës artificiale “Grok” dhe krijimin e imazheve të seksualizuara jokonsensuale të grave dhe fëmijëve.
“Liria e shprehjes nuk është liria për të shkelur pëlqimin. Imazhet e vajzave të reja nuk janë pronë publike dhe siguria e tyre nuk është për debat”, tha Starmer.
“E mirëpres që X-i tani po vepron për të siguruar përputhje të plotë me ligjin britanik – kjo duhet të ndodhë menjëherë”, shtoi ai.
Ai sinjalizoi gjithashtu gatishmërinë për të shkuar më tej në çështjet e sigurisë onlajn, duke thënë: “Nëse duhet të forcojmë më tej ligjet ekzistuese, jemi të përgatitur ta bëjmë këtë”.
Kontesti nisi pas raportimeve se vegla e inteligjencës artificiale e X-it, Grok, po përdorej për të gjeneruar manipulime të papërshtatshme të imazheve të grave dhe fëmijëve, duke nxitur shqetësime të gjera për dëmet onlajn dhe shkeljet e mundshme të Aktit britanik për Sigurinë Onlajn.
Rregullatori britanik i sigurisë online, Ofcom, të hënën hapi një hetim formal ndaj X-it, për shqetësime se mjeti i tij i AI-së, Grok, po përdoret për të krijuar imazhe të seksualizuara.
Autoriteti mbikëqyrës do të shqyrtojë nëse X-i ka dështuar të përmbushë disa detyrime kyçe sipas Aktit për Sigurinë Onlajn, përfshirë nëse platforma ka vlerësuar siç duhet rrezikun që përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar të hasin përmbajtje të paligjshme dhe nëse ka kryer vlerësime të përditësuara të rrezikut përpara se të bënte ndryshime të rëndësishme në shërbimin e saj.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
