Stambolli do të organizojë ekspozitën LES-EXPO 2026, do të shfaq inovacione në inxhinierinë e ngarkesave të rënda
Panairi do të shfaqë një gamë të plotë zgjidhjesh, nga sistemet e vinçave dhe teknologjitë e transportit të ngarkesave të mëdha deri te pajisjet e mbështetjes strukturore dhe mjetet e përparuara të planifikimit digjital
Stamboll
Stambolli vitin e ardhshëm do të organizojë ekspozitën LES-EXPO Euroazi-Afrikë të Shërbimeve të Inxhinierisë së Ngarkesave, duke bashkuar aktorët global në ngritjen e ngarkesave të rënda, mbështetjen strukturore dhe inxhinierinë e transportit për të shfaqur përparimet më të fundit teknologjike të sektorit dhe zgjidhjet e qëndrueshme, transmeton Anadolu.
Panairi do të shfaqë një gamë të plotë zgjidhjesh, nga sistemet e vinçave dhe teknologjitë e transportit të ngarkesave të mëdha deri te pajisjet e mbështetjes strukturore dhe mjetet e përparuara të planifikimit digjital, të dizajnuara për të trajtuar logjistikën komplekse të ngritjes dhe transportimit të ngarkesave jashtëzakonisht të rënda, të gjata, të gjera ose të larta.
LES-EXPO 2026 do të shërbejë si një platformë kryesore për prodhuesit e vinçave, furnizuesit e sistemeve të ngritjes së ngarkesave të rënda, prodhuesit e makinerive dhe pajisjeve, si dhe ofruesit e zgjidhjeve inxhinierike për të prezantuar produkte dhe projekte të reja, duke eksploruar mundësitë për bashkëpunim ndërkufitar.
Shoqata Evropiane e Transportit Rrugor Abnormal dhe Vinçave Mobile (ESTA) po e mbështet ngjarjen si një partner bashkëpunimi ndërkombëtar, duke theksuar qëllimin e saj strategjik.
Pritet që panairi të tërheq prodhues, ofrues shërbimesh, furnizues dhe blerës nga tregjet lokale dhe ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit do të jenë në gjendje të ndjekin trendet më të fundit të industrisë, të angazhohen me ekspertë dhe të testojnë teknologjitë e reja përmes demonstrimeve praktike. Programi gjithashtu do të përfshijë sesione teknike, seminare dhe ngjarje ekskluzive me figura kryesore nga sektori.
E organizuar nga Shoqata e Inxhinierisë së Ngarkesës (YMB) dhe organizatori turk i panairit tregtar KFA Fuarcilik, ekspozita do të zhvillohet në Qendrën e Ekspozitave të Stambollit nga 7 deri më 9 prill të vitit 2026.
E përshkruar nga organizatorët si “forca e padukshme pas projekteve të mëdha”, ekosistemi i inxhinierisë së ngarkesës do të vendoset në qendër të vëmendjes në një kohë kur investimet në infrastrukturë, efikasiteti i logjistikës dhe qëndrueshmëria strukturore po fitojnë rëndësi të re në të gjithë Euroazinë dhe Afrikën.
Ngjarja synon të ofrojë jo vetëm mundësi rrjetëzimi dhe biznesi, por edhe frymëzim për të sapoardhurit në industri dhe studiuesit akademikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
