Bota

Spitali në Gaza pranon trupat e 15 të burgosurve palestinezë të dorëzuar nga Izraeli

Kreu i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Spitalin Nasser, dr. Ahmed Dihair tha se shumica e trupave të marrë ishin të ngrirë dhe të panjohur

Abdulbesar Ademi  | 05.11.2025 - Përdıtësım : 05.11.2025
Spitali në Gaza pranon trupat e 15 të burgosurve palestinezë të dorëzuar nga Izraeli

Shkup

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit ka dorëzuar në Spitalin Nasser në qytetin Khan Younis trupat e 15 palestinezëve që ndërruan jetë në burgjet izraelite, raporton Anadolu.

Trupat e të burgosurve palestinezë, të cilët ndërruan jetë teksa ishin në paraburgim izraelit, u transferuan në morgun e spitalit për identifikim dhe dorëzim përfundimtar te familjet e tyre.

Kreu i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Spitalin Nasser, dr. Ahmed Dihair tha se shumica e trupave të marrë ishin të ngrirë dhe të paidentifikueshëm.

Hamasi deri më tani ka liruar 20 pengje të gjalla izraelite dhe ka kthyer eshtrat e 21 nga 28 pengjet e vdekura, shumica prej tyre izraelitë. Megjithatë, Izraeli pretendon se një nga trupat e marrë nuk përputhej me asnjë pengjet e zhdukura izraelite.

Izraeli e ka kushtëzuar fillimin e negociatave për fazën e dytë të armëpushimit me dorëzimin e të gjitha mbetjeve të pengjeve. Hamasi thotë se procesi kërkon kohë për shkak të shkatërrimit masiv në Gaza.

Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të gati 2 mijë të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në sulmet në Rripin e Gazës ka vrarë të paktën 69 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.