Spanjë, zgjidhet në masë të madhe problemi me energjinë elektrike
Ndërprerja e energjisë elektrike në Spanjë, e cila ka vazhduar që nga dje, është zgjidhur pothuajse plotësisht, njoftoi kompania spanjolle e energjisë elektrike "Red Electrica"

Istanbul
Ndërprerja e energjisë elektrike në Spanjë, e cila ka vazhduar që nga dje, është zgjidhur pothuajse plotësisht, njoftoi kompania spanjolle e energjisë elektrike "Red Electrica", transmeton Anadolu.
Kompania tha se të gjitha qendrat e transformatorëve janë vënë në funksion ndërsa operacionet e mirëmbajtjes po vazhdojnë.
Deklarata thekson se 99,16 për qind e nevojave të Spanjës për energji elektrike u përmbushën dhe se prodhimi ka arritur në 21.265 megavat.
Në një deklaratë nga kompanitë hekurudhore në vend thuhet se trenat periferikë do të vazhdojnë të operojnë me një dendësi midis 50 dhe 60 për qind.
Agjencia spanjolle e lajmeve EFE raportoi se evakuimi i pasagjerëve të 123 nga 126 trenat e prekur nga ndërprerja e energjisë elektrike ka përfunduar.
Metroja e Madridit gjithashtu ka filluar sërish të ofrojë shërbime në linja të ndryshme.
Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, duke informuar në lidhje me ndërprerjet dhe shërbimet e trenave komercialë që do të fillojnë, tha se do të operojnë edhe trenat me shpejtësi të lartë, përveç disa lidhjeve.
- Portugalia u siguron energji elektrike 6,2 milionë njerëzve
Sipas agjencisë portugeze të lajmeve "Lusa", kompania e energjisë elektrike "E-Redes" njoftoi se 424 stacione transformatorësh ishin pjesërisht funksionale që nga mesnata.
Kompania tha se shërbimi i energjisë elektrike u ofrohet 6,2 milionë klientëve në vend dhe se nuk ishte e qartë se kur do të kthehej normaliteti.
Dje, ndërprerje të gjera të energjisë elektrike goditën Spanjën dhe Portugalinë, duke e "paralizuar jetën" në këto dy vende.