Spanjë, të paktën 39 të vdekur nga përplasja e trenave me shpejtësi të lartë
Të paktën 39 persona humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën pasi dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë qytetit Adamuz në provincën jugore të Kordobës në Spanjë
Stamboll
Të paktën 39 persona humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën pasi dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë qytetit Adamuz në provincën jugore të Kordobës në Spanjë, thanë autoritetet të hënën, transmeton Anadolu.
Aksidenti ndodhi të dielën rreth orës 19:40 sipas orës lokale kur një tren që udhëtonte nga Malaga për në Madrid doli nga shinat pranë Adamuzit dhe u fut në një binar ngjitur. Kjo bëri që një tren i dytë që shkonte në jug nga Madridi për në Huelva të dilte gjithashtu nga shinat.
Autoritetet rajonale thanë se dy vagona të trenit Alvia u fundosën në një argjinaturë katër metra të lartë, duke komplikuar përpjekjet e shpëtimit, raportoi "El Pais".
Ministria e Brendshme e Spanjës tha se pesë nga të plagosurit mbeten në gjendje kritike ndërsa 24 të tjerë përfshirë katër të mitur, janë plagosur rëndë. Më shumë se 120 persona pësuan lëndime të lehta deri të moderuara.
Shërbimet e emergjencës dërguan burime në shkallë të gjerë në vendngjarje, përfshirë njësi të lëvizshme të kujdesit intensiv, ambulanca, automjete logjistike dhe një postë të avancuar mjekësore. Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME) dërgoi rreth 40 persona dhe 15 automjete për të ndihmuar operacionet e shpëtimit.
Presidenti rajonal i Andaluzisë, Juan Manuel Moreno vizitoi vendin e ngjarjes dhe e përshkroi incidentin si "një ditë shumë të vështirë për Andaluzinë". Ai tha se autoritetet do të japin shifra më të besueshme pasi të përfundojnë procedurat e identifikimit.
Ministri i Transportit, Oscar Puente e quajti aksidentin "jashtëzakonisht të çuditshëm", duke vënë në dukje se ndodhi në një pjesë të drejtë të binarit që ishte rinovuar në maj. Ai tha se një komision i pavarur do të hetojë nëse shkaku lidhet me infrastrukturën apo me stokun lëvizës.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez anuloi axhendën e tij zyrtare për të hënën, përfshirë një takim të planifikuar me udhëheqësin e opozitës Alberto Nunez Feijoo, dhe shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur solidaritet me Spanjën, duke thënë në mediat sociale se "Franca është me ju".
Trafiku hekurudhor midis Madridit dhe disa qyteteve andaluziane, përfshirë Seviljen, Malagën, Kordobën dhe Huelvën, u pezullua sot. Operatori hekurudhor Renfe tha se më shumë se 130 shërbime u anuluan dhe janë ofruar ndërrime dhe rimbursime falas për pasagjerët e prekur.
Adif, menaxheri i infrastrukturës hekurudhore të Spanjës, hapi një linjë telefonike për të ndihmuar të afërmit e viktimave. Spanja pësoi një nga fatkeqësitë më vdekjeprurëse hekurudhore në vitin 2013, kur një tren me shpejtësi të lartë që udhëtonte nga Madridi në Galicia doli nga shinat, ku humbën jetën 79 persona ndërsa 179 të tjerë u plagosën.
