Spanja mirëpret marrëveshjen për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit
"Qeveria e Spanjës mirëpret lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme dhe beson se ky është fillimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", tha kryeministri spanjoll Sanchez
Gjenevë
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez përshëndeti sot marrëveshjen për fazën e parë të një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, duke shprehur shpresë për "paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", transmeton Anadolu.
"Qeveria e Spanjës mirëpret lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme dhe beson se ky është fillimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", tha Sanchez përmes medias sociale të kompanisë amerikane X.
"Tani është koha për t'u angazhuar në dialog, për të ndihmuar popullsinë civile dhe për të parë drejt së ardhmes. Me shpresë. Por, edhe me drejtësi dhe kujtesë. Në mënyrë që mizoritë e përjetuara të mos përsëriten kurrë më", tha ai.
Komentet e tij erdhën pasi Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin nënshkruar fazën e parë të një marrëveshjeje të propozuar nga SHBA-ja për Rripin e Gazës.
Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.
Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera e kanë lënë Rripin e Gazës kryesisht të pabanueshëm, duke çuar në përhapjen e urisë dhe sëmundjeve.
