Bota

Spanja dënon sulmet izraelite në zonat me popullsi të dendur në Bejrut

Spanja njoftoi një paketë të re ndihme financiare prej 9 milionë eurosh për të mbështetur popullsinë libaneze dhe për të ndihmuar në përballimin e krizës në rritje të refugjatëve

Necva Taştan Sevinç  | 13.03.2026 - Përdıtësım : 13.03.2026
Spanja dënon sulmet izraelite në zonat me popullsi të dendur në Bejrut

Stamboll

Spanja dënoi sulmet e Izraelit ndaj Libanit, veçanërisht në zonat e dendura të populluara të Bejrutit, duke paralajmëruar se këto sulme kanë shkaktuar shumë viktima civile dhe rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej konfliktin, transmeton Anadolu.

"Spanja dënon sulmet intensive të ndërmarra nga Izraeli kundër Libanit, dhe veçanërisht kundër kryeqytetit të tij Bejrut, në zona të dendura të populluara, duke shkaktuar shumë viktima në mesin e popullsisë civile", thuhet në një deklaratë të publikuar vonë të enjten nga Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës.

Qeveria spanjolle tha se është thellësisht e shqetësuar nga përkeqësimi i shpejtë i situatës në Liban. Ajo dënoi gjithashtu sulmet pa dallim të Hezbollahut ndaj Izraelit, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të nxisin një spiral të re dhune dhe vuajtjeje.

Spanja ritheksoi mbështetjen për përpjekjet e autoriteteve libaneze për të vendosur monopol shtetëror mbi përdorimin e forcës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin hapa që mund të përshkallëzojnë konfliktin.

Qeveria refuzoi fuqishëm atë që e quajti urdhër të paligjshëm dhe të pajustifikuar të ushtrisë izraelite për evakuimin e civilëve nga zonat në jug të Lumit Zahrani, duke e cilësuar këtë direktivë krejtësisht disproporcionale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Madridi bëri thirrje për respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit, duke theksuar nevojën për të parandaluar dëme të mëtejshme ndaj civilëve.

Në mes të përkeqësimit të situatës humanitare, Spanja njoftoi një paketë të re ndihme financiare prej 9 milionë eurosh për të mbështetur popullsinë libaneze dhe për të ndihmuar në përballimin e krizës në rritje të refugjatëve. Qeveria gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të sigurojnë mbrojtjen dhe sigurinë e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara të dislokuar në vend.

Më 2 mars, grupi i lidhur me Iranin, Hezbollahu, filloi të sulmojë objektiva ushtarake izraelite në përgjigje të sulmeve të përsëritura të Izraelit ndaj Libanit dhe vrasjes së ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në një sulm të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Izraeli u kundërpërgjigj duke nisur një fushatë ushtarake në Liban, duke kryer sulme ajrore në periferitë jugore të Bejrutit dhe në zona në jug dhe lindje të vendit ndërsa më 3 mars filloi një inkursion të kufizuar tokësor në jug të Libanit.

Sipas ministrit të Shëndetësisë të Libanit, Rakan Nasser El Din, sulmet kanë shkaktuar 687 të vdekur, përfshirë 98 fëmijë dhe 1.774 të plagosur.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın