Spanjë, gjoba deri në 100 euro për prindërit, fëmijët e të cilëve pinë cigare
Projektligji ndalon konsumin e cigareve nga të miturit për herë të parë në Spanjë dhe propozon gjoba deri në 100 euro për prindërit që nuk i ndalojnë fëmijët e tyre të pinë cigare

Madrid
Qeveria e koalicionit të krahut të majtë në Spanjë do të vendosë gjoba deri në 100 euro për prindërit, fëmijët e të cilëve pinë cigare, sipas një projektligji të ri që kufizon konsumin e cigareve, raporton Anadolu.
"Projektligji për duhanin", i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i dërguar në Parlament për diskutim dhe votim, ndalon pirjen e cigareve në tarraca dhe pirjen e cigareve nga të miturit, ndërsa kufizon përdorimin e cigareve elektronike.
Projektligji ndalon konsumin e cigareve nga të miturit për herë të parë në Spanjë dhe propozon gjoba deri në 100 euro për prindërit që nuk i ndalojnë fëmijët e tyre të pinë cigare.
Edhe pse shitja e cigareve për personat nën moshën 18-vjeç është e ndaluar në Spanjë, ashtu si në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian (BE), deri më tani nuk kishte asnjë rregullore ligjore kundër konsumit të cigareve nga fëmijët.
"Hartuam një ligj që e riktheu Spanjën në krye të luftës kundër duhanit. Ne ishim pionierë me ndalimin e pirjes së cigares në ambiente të mbyllura në vitin 2005 dhe në vitin 2010 pirja e cigares në bare dhe restorante u ndalua. Por, kohërat kanë ndryshuar. Është vërejtur se ndryshime të reja ligjore janë të nevojshme. Kanë dalë produkte të reja dhe dolën në pah nevoja të reja të shëndetit publik. Duhani u kushton me jetë 140 njerëzve çdo ditë dhe 50 mijë njerëzve në vit. 30 për qind e kancereve lidhen me një faktor rreziku të cigares", tha ministrja e Shëndetësisë, Monica Garcia.
Nga ana tjetër, u pa se praktika e paketimit të thjeshtë (të gjitha paketimet të jenë të njëjta, pa logot e markave dhe të shtypura me të njëjtin font), e cila aktualisht zbatohet në më shumë se 20 vende, nuk u përfshi në projektligj pavarësisht negociatave të gjata.
Sipas statistikave, shitjet e cigareve në Spanjë vitin e kaluar arritën në 2 miliardë e 143 milionë paketa, një rënie prej 53.8 për qind krahasuar me vitin 2005, kur u miratua ligji i parë që ndalonte pirjen e cigares në ambientet e mbyllura.
Në Spanjë aktualisht çmimet e pakove prej 20 cigaresh variojnë prej 5 deri më 8 euro.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.