Sondazh: Zviceranët ndihen të sigurt, por dyshojnë në gatishmërinë e mbrojtjes
Anketa tregon mbështetje të fortë për lidhje më të ngushta sigurie evropiane dhe rritje të shpenzimeve ushtarake
Gjenevë
Shumica e njerëzve në Zvicër ndihen të sigurt, por shumë dyshojnë për gatishmërinë e vendit për mbrojtje, sipas një sondazhi, transmeton Anadolu.
Më shumë se tre të katërtat e të anketuarve në sondazhin e institutit kërkimor "Sotomo" sipas "Swissinfo", dyshojnë se qeveria federale është e përgatitur mjaftueshëm për kërcënime konvencionale dhe hibride.
"Në kontekstin aktual, një interpretim rigid i neutralitetit po sfidohet", thuhet në sondazh, duke vënë në dukje se më shumë se dy të tretat e të anketuarve favorizojnë bashkëpunim më të ngushtë sigurie me shtetet fqinje evropiane.
Shumica gjithashtu mbështet një bashkëpunim më të fortë me NATO-n.
Gjetjet nxjerrin gjithashtu në pah një përputhje të fortë me vlerat evropiane. Më shumë se katër në pesë të anketuar thanë se identifikohen me vlerat e Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Veriore ndërsa vetëm 44 për qind shohin një përputhje "mjaft të madhe" me vlerat thelbësore të SHBA-së.
Mbështetja për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen gjithashtu po rritet, sipas sondazhit. Shumica e të anketuarve favorizojnë rritjen e buxhetit të ushtrisë në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, sipas "Strategiedialog21", një fondacion zviceran jo-partiak i krijuar në 2011.
Sondazhi përfundoi se Zvicra nuk është në krizë, por reflekton një vend që vlerëson situatën e tij me "qartësi".
Sipas "Sotomo", 5.249 persona në Zvicër u anketuan midis 18 nëntorit dhe 15 dhjetorit ndërsa rezultatet konsiderohen "shumë përfaqësuese për popullsinë rezidente".
