Sondazh: Shumica e gjermanëve kundërshtojnë mbështetjen ushtarake për Izraelin
Sondazhi zbulon se 82 për qind e gjermanëve kundërshtuan mbështetjen ushtarake të vendit të tyre për Izraelin për luftën e tij brutale në Rripin e Gazës
Berlin
Shumica e gjermanëve kundërshtojnë mbështetjen ushtarake të qeverisë së tyre për Izraelin, tregon një sondazh i ri i publikuar sot, transmeton Anadolu.
Sondazhi i porositur nga "Korber Stiftung" zbulon se 82 për qind e gjermanëve kundërshtuan mbështetjen ushtarake të vendit të tyre për Izraelin për luftën e tij brutale në Rripin e Gazës. Ndërsa vetëm 15 për qind e tyre shprehën mbështetje.
Pothuajse tre të katërtat (73 për qind) thanë se qeveria gjermane duhet të ushtrojë presion më të fortë diplomatik mbi Izraelin.
Sondazhi zbuloi një ndryshim themelor në mënyrën se si gjermanët i shohin detyrimet e tyre historike, me 60 për qind që hedhin poshtë idenë se Gjermania mban përgjegjësi të veçantë për Izraelin për shkak të historisë së saj dhe Holokaustit. Vetëm 38 për qind e mbështetën këtë qëndrim tradicional.
Instituti i sondazheve "Forsa" realizoi sondazhin përfaqësues midis 15 dhe 26 shtatorit, duke intervistuar më shumë se 1.500 gjermanë. Ishte i fundit në një seri sondazhesh në muajt e fundit që zbulojnë një hendek në rritje midis qëndrimit të qeverisë dhe opinionit publik gjerman mbi konfliktin e Lindjes së Mesme.
Gjermania ka qenë një nga furnizuesit më të mëdhenj të Izraelit me armë vitet e fundit. Nga 7 tetori 2023 deri më 5 qershor 2025, Gjermania autorizoi shitjet e armëve në Izrael me një total prej më shumë se 492 milionë eurosh (567 milionë dollarë).
Kancelari gjerman Friedrich Merz, një mbështetës i fortë i Izraelit, urdhëroi kufizime në eksportet e armëve në Izrael në gusht, mes presionit në rritje publik. Kufizimet ndaluan miratimin e licencave të reja të eksportit për armët që mund të përdoren në luftën e Gazës. Megjithatë, këto kufizime u hoqën këtë javë.
Sipas qeverisë gjermane, armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit ka mbetur në fuqi që nga 10 tetori dhe është stabilizuar në javët e fundit. Qeveria thekson përpjekjet drejt paqes së qëndrueshme dhe rritjes së ndihmës humanitare në Gaza.
