Bota

Sondazh: 14 për qind e studentëve në Norvegji kanë frikë se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë vendet e punës

Sondazhi zbulon se 14 për qind e studentëve kanë frikë se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë profesionet e tyre të ardhshme ndërsa 25 për qind besojnë se teknologjia do të zgjerojë mundësitë arsimore

Necva Taştan Sevinç  | 18.02.2026 - Përdıtësım : 18.02.2026
Sondazh: 14 për qind e studentëve në Norvegji kanë frikë se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë vendet e punës

Stamboll

Sipas një sondazhi të ri të kryer në Norvegji, një numër në rritje studentësh po rishqyrtojnë planet e tyre arsimore për shkak të shqetësimeve mbi inteligjencën artificiale, transmeton Anadolu.

Raporti i fundit, i titulluar "Studimi i të rinjve në Norvegji", i kryer nga agjencia norvegjeze e analizës sociale dhe të tregut "Opinion" zbulon se 14 për qind e studentëve kanë frikë se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë profesionet e tyre të ardhshme ndërsa 25 për qind besojnë se teknologjia do të zgjerojë mundësitë arsimore.

Siç raporton transmetuesi NRK, eksperti i inteligjencës artificiale, Lars Rinnan u përpoq të qetësojë të rinjtë, duke theksuar se tregu i punës do të vazhdojë të vlerësojë "cilësitë njerëzore", teksa automatizimi përparon nëpër sektorë.

Gjetjet vijnë pasi mijëra studentë u mblodhën javën e kaluar në një panair arsimi në Lillestrom për të eksploruar opsionet e studimit dhe rrugët e karrierës. Disa pjesëmarrës shprehën shqetësim se mjetet e inteligjencës artificiale si ChatGPT mund të ndikojnë negativisht në zakonet e të mësuarit.

"ChatGPT na ka bërë dembel. Shumë studentë kanë vështirësi të bëjnë gjërat bazë, si të shkruajnë një ese me 200 fjalë", tha Rosell Mahdi, një studente 18-vjeçare.

Shoqja e saj e klasës, Lara Omar tha se përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale për të përmirësuar notat është "i padrejtë ndaj atyre që bëjnë përpjekje".

Të dhënat nga autoritetet statistikore të vendit tregojnë se 70 për qind e të rinjve të moshës 16-24 vjeç përdorën inteligjencës artificiale për qëllime arsimore në vitin 2025, krahasuar me 22 për qind të atyre të moshës 25-34 vjeç. Pavarësisht normës së lartë të përdorimit, kjo shifër shënon rënie prej 10 për qind nga viti i mëparshëm.

Ministrja e Kërkimit dhe Arsimit të Lartë, Sigrun Aasland tha se ndryshimet teknologjike do ta transformojnë tregun e punës, por theksoi se shoqëria do të vazhdojë të përballet me mungesë punëtorësh të kualifikuar. Ajo u bëri thirrje studentëve të ndjekin arsimin e lartë dhe të përqendrohen në mënyrën se si mund të kontribuojnë në shoqëri.

Studiuesi i inteligjencës artificiale, Keith L. Downing nga Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë, paralajmëroi se teknologjia mund të ketë pasoja afatgjata për të mësuarit, duke theksuar se studentët tani kanë qasje të vazhdueshme te një "ekspert" i aftë për t'iu përgjigjur detyrave në çdo kohë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.