Somalia dënon vizitën e ministrit të jashtëm izraelit në Somaliland, e quan "inkursion i paautorizuar"
Vizita e Gideon Saarit në Somaliland përfaqëson “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të një anëtari sovran të OKB-së, thotë Ministria e Jashtme somaleze
Stamboll
Somalia dënoi "inkursionin e paautorizuar" të Ministrit të Jashtëm Izraelit, Gideon Saar, në Somaliland, duke i bërë thirrje Tel Avivit që të "ndërpresë menjëherë" të gjitha veprimet që dëmtojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë, transmeton Anadolu.
Vizita e Saarit përfaqëson një "ndërhyrje të papranueshme" në punët e brendshme të një anëtari sovran të OKB-së, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
Somalia tha se veprime të tilla shkelin Kartën e OKB-së, Aktin Kushtetues të Bashkimit Afrikan dhe normat e vendosura të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përfshirë barazinë sovrane, integritetin territorial dhe mosndërhyrjen.
Po ashtu thuhet se Somalilandi është "pjesë integrale dhe e pandashme" e Somalisë.
Mogadishu tha se çdo prani, kontakt ose angazhim zyrtar në territorin e saj pa pëlqimin e qartë të qeverisë federale është i paligjshëm, i pavlefshëm dhe nuk ka efekt ligjor.
Ministria i kërkoi OKB-së, Bashkimit Afrikan, Lidhjes së Shteteve Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të riafirmojnë mbështetjen e tyre për sovranitetin e Somalisë dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarisht "në terma të qartë dhe pa ekuivoke".
"Somalia rezervon të drejtën për të ndërmarrë të gjitha masat e duhura diplomatike dhe ligjore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për të mbrojtur sovranitetin, unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të saj", tha ajo.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, mbërriti në rajonin e shkëputur të Somalisë, Somaliland, të martën, pothuajse dy javë pasi Tel Avivi e njohu rajonin.
Më 26 dhjetor, Izraeli njoftoi njohjen zyrtare të Somalilandit si një shtet të pavarur dhe sovran, duke e bërë Tel Avivin të vetmin vend në botë që njeh rajonin e shkëputur.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
