Sllovenia paraqet projektrezolutë në OKB për armëpushim dhe akses të plotë të ndihmave në Rripin e Gazës
Dokumenti shpreh "shqetësim të thellë për situatën katastrofike humanitare, përfshirë rrezikun e urisë", dhe rikujton detyrimin e të gjitha palëve për t'iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut

Hamilton
Në emër të anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), Sllovenia paraqiti të martën një projektrezolutë duke bërë thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm" në Rripin e Gazës dhe kërkoi një votim për sot, raporton Anadolu.
Dokumenti, i cili u sigurua nga Anadolu, shpreh "shqetësim të thellë për situatën katastrofike humanitare, përfshirë rrezikun e urisë", dhe rikujton detyrimin e të gjitha palëve për t'iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut.
Teksti gjithashtu riafirmon mbështetjen për përpjekjet e Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së për të zbatuar një armëpushim shumëfazor të përcaktuar në Rezolutën 2735 (2024), që synon të sigurojë lirimin e pengjeve, kthimin e mbetjeve mortore dhe një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza, duke çuar në rindërtim.
Projektrezoluta gjithashtu kërkon "heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të të gjitha kufizimeve" mbi ndihmën humanitare dhe bën thirrje për shpërndarje të sigurt dhe të papenguar "në shkallë të gjerë" në të gjithë enklavën.
Ajo nënvizon rëndësinë e rivendosjes së shërbimeve thelbësore në përputhje me parimet humanitare.
Izraeli, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 54.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë midis më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.