Sllovenia përshëndet njohjen e Palestinës nga vendet perëndimore
Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon, tha se presin që konferenca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi një zgjidhje me dy shtete të sjellë "hapin e parë drejt paqes së qëndrueshme dhe bashkëjetesës midis Palestinës dhe Izraelit"

Stamboll
Sllovenia ka mirëpritur njohjen e shtetit të Palestinës nga Australia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Portugalia, duke e përshkruar si një hap kyç drejt paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon, përmes platformës së kompanisë amerikane të mediave sociale X, tha se Lubjana pret që konferenca e ardhshme e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi një zgjidhje me dy shtete të sjellë "hapin e parë drejt paqes së qëndrueshme dhe bashkëjetesës midis Palestinës dhe Izraelit".
"Sllovenia mirëpret njohjen e Palestinës nga Australia, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar. Ne presim që konferenca e ardhshme e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi një zgjidhje me dy shtete të sjellë rezultate që do të jenë hapi i parë drejt paqes së qëndrueshme dhe bashkëjetesës midis Palestinës dhe Izraelit", shkroi Fajon.
Të dielën, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Portugalia njoftuan njohjen e Palestinës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të shteteve anëtare të OKB-së që e kanë ndërmarrë këtë hap në 153 nga 193.
Njëmbëdhjetë vende të tjera përfshirë Maltën, Luksemburgun, Francën, Belgjikën dhe Armeninë deklaruan plane për të zgjeruar njohjen gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj në New York, ku udhëheqësit botërorë do të mblidhen të hënën për debatin e nivelit të lartë.
Duke iu bashkuar Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë, Sllovenia u bë vendi i katërt evropian që njohu shtetin e Palestinës më 30 maj 2024, pas një deklarate nga kryeministri Robert Golob që konfirmoi miratimin e qeverisë së tij.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.