Sllovenia mendon të tërhiqet nga Eurovizioni për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit
"Ne do të jemi të detyruar ta bëjmë këtë nëse EBU vazhdon të mos përgjigjet në çështjet kryesore, si nga këndvështrimi etik ashtu edhe nga këndvështrimi i interesit publik", tha drejtoresha e Televizionit Slloven, Ksenija Horvat

Lubjanë
Televizioni i Sllovenisë në një letër drejtuar Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) shprehu "shqetësim në rritje në lidhje me pjesëmarrjen e vazhdueshme të Izraelit në ngjarjet e EBU-s", përfshirë Eurovizionin dhe bëri thirrje për diskutim të hapur midis anëtarëve mbi transparencën e votimit të këtij viti dhe rregullat e pjesëmarrjes, transmeton Anadolu.
Pasi radio dhe televizioni belg dhe ai spanjoll kërkuan transparencë më të madhe në lidhje me votimin e sivjetmë të Eurovizionit, për të cilin ata besojnë se nuk është më apolitik dhe unifikues dhe për këtë arsye jo i përshtatshëm, Televizioni i Sllovenisë shprehu qëndrim të ngjashëm.
"Si drejtoreshë e Televizionit të Sllovenisë, ju drejtohem edhe një herë me shqetësime serioze dhe në rritje në lidhje me vazhdimin e pjesëmarrjes së Izraelit në ngjarjet e EBU-s, veçanërisht në Festivalin e Këngës në Eurovizion", shkruan Ksenija Horvat në letrën e dërguar nga menaxhmenti i TV Sllovenisë drejtuar anëtarëve të bordit ekzekutiv të EBU-s.
Ajo shtoi se ka tërhequr vëmendjen për këtë temë vitin e kaluar, duke përmendur kundërshtimet e shumta në atë kohë, të cilat, sipas saj, që nga ajo kohë janë intensifikuar.
"Si një media publike përgjegjëse ndaj publikut, Televizioni Slloven është nën presion në rritje për t'iu përgjigjur shqetësimeve të tilla. Nëse EBU nuk merr hapa konkretë dhe nuk shpreh qëndrimin e saj për këto çështje, ne do të shqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në ngjarjet e ardhshme të Eurovizionit", tha Horvat.
Ajo theksoi se ky nuk ishte një vendim që do të merrej lehtë dhe shtoi se Televizioni i Sllovenisë do të "detyrohet" të bëjë një lëvizje të tillë nëse "EBU vazhdon të mos përgjigjet në çështjet kryesore, si nga këndvështrimi etik ashtu edhe nga këndvështrimi i interesit publik".
Horvat i bëri thirrje EBU-s të thërrasë "një debat të hapur, gjithëpërfshirës dhe urgjent midis anëtarëve të saj, duke përfshirë interpretuesit muzikorë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, mbi transparencën e votimit, politikat e pjesëmarrjes dhe sigurimin e zbatimit të qëndrueshëm dhe të besueshëm të vlerave për të cilat angazhohet EBU".
Ajo iu referua votimit telefonik në këngën e Eurovizionit të këtij viti, i cili "minoi më tej besimin e publikut", duke shtuar se përgjigjja e mëparshme e EBU-s "nuk përmbante sqarime bindëse apo konkrete", as nuk ruante urgjencën dhe seriozitetin e pyetjes së shtruar.
"Ndërkohë, situata humanitare në Gaza dhe territoret e pushtuara palestineze është përkeqësuar më tej, dhe shqetësimi i publikut, si në Slloveni ashtu edhe në mbarë Evropën është rritur ndjeshëm", shkruan Horvat duke shtuar:
"Shumë shikues në Slloveni dhe gjetkë shprehën dyshime serioze për besueshmërinë dhe transparencën e votimit, veçanërisht në kontekstin politik që rrethon garën. Ndjenja se interesat politike mund të kenë ndikuar në vendimet e pjesëmarrjes ose në rezultatet përfundimtare të votimit minuan besimin e publikut në paanshmërinë e EBU-s".
Ajo shprehu dyshime edhe për transparencën e votimit telefonik në Eurovizion.
"Ne jemi veçanërisht të interesuar të krahasojmë votat telefonike me ato nëpërmjet internetit, pasi besojmë se kjo është thelbësore për të rikthyer besimin në integritetin e procesit të votimit. Si media publike, ne kemi për detyrë t'i ofrojmë audiencës tonë informacion të saktë dhe të verifikueshëm", shkroi Horvat duke potencuar se nuk e kupton pse ka kaq shumë fshehtësi rreth këtyre procedurave.