Bota

Sirianët të lumtur nga kthimi në vendlindje pas operacionit turk

Jeta në Ras al-Ayn ka filluar t'i kthehet normales si rezultat i operacionit turk, ndërkohë që Turqia është duke i vazhduar përpjekjet për të plotësuar nevojat e popullatës dhe për të rinovuar objektet në qytet

Eşber Ayaydın  | 22.11.2019 - Përdıtësım : 25.11.2019
Sirianët të lumtur nga kthimi në vendlindje pas operacionit turk

Tel Abyad

Banorët e qytetit Ras al-Ayn në veri të Sirisë, kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre pas pastrimit të rajonit nga organizata terroriste YPG/PKK nëpërmjet operacionit antiterrorist turk "Burimi i Paqes", raporton Anadolu Agency (AA).

Jeta në Ras al-Ayn ka filluar t'i kthehet normales si rezultat i operacionit turk, ndërkohë që Turqia është duke i vazhduar përpjekjet për të plotësuar nevojat e popullatës dhe për të riparuar dhe rinovuar objektet në qytet.

Një grup sirianësh kanë aplikuar në Zyrën e Guvernatorit të provincës turke Şanlıurfa për t'u kthyer në vendlindjen e tyre.

Pas miratimit, 70 persona të cilët gjendeshin në rrethet Viranşehir dhe Ceylanpınar, përfshirë gra dhe fëmijë, kaluan përmes stacionit kufitar në rrethin Ceylanpınar për të arritur në Ras al-Ayn.

Sirianët që kaluan kufirin shprehën falënderime për forcat turke, duke përqafuar stafin ushtarak. Në anën tjetër të kufirit, ata u pritën nga ekipet e Ushtrisë Kombëtare Siriane, e cila ka mbështetur Turqinë në operacionin e saj.

"Për shtatë vite kam jetuar në Turqi. Jam shumë i lumtur që po kthehemi në vendin tonë. Falënderoj shumë presidentin Recep Tayyip Erdoğan për çdo gjë...Unë isha 11-vjeçar kur u largova nga Ras al-Ayn", tha siriani Muazzin al-Muhammed në një prononcim për gazetarët.

Ndërkaq, Abduladhim al-Muhammed, po ashtu u shpreh i lumtur për kthimin në vendlindje së bashku me vajzën e tij dy vjeçe e gjysmë.

"Falë Zotit, Ras al-Ayn u çlirua nga terrorizmi. Pas shumë vitesh, ne po kthehemi në shtëpinë tonë", u shpreh ai.

Po ashtu edhe Ahmed Shavak, një tjetër sirian që u kthye në Ras al-Ayn, tha se ndihet i lumtur që trojet e tij janë pastruar nga organizata terroriste YPG/PKK dhe tha se është mirënjohës ndaj presidentit Erdoğan dhe popullit turk.

"Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë. Ata plotësuan të gjitha nevojat tona. Për shtatë vite isha i ndarë nga vendlindja, kurse tani jam shumë i lumtur që po kthehem në vendin tim", tha Shavak.

Turqia më 9 tetor nisi operacionin "Burimi i Paqes" për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë, me qëllim për të siguruar kufijtë e saj, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të garantuar integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja arriti dy marrëveshje të ndara me Washingtonin dhe Moskën muajin e kaluar, sipas të cilave ajo ra dakord të pauzonte operacionin e saj për të mundësuar që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqeshin nga zona e planifikuar e sigurt, ku Turqia dëshiron të riatdhesojë miliona refugjatë sirianë që aktualisht i strehon.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın