Siria: Skadoi afati i tërheqjes së SDF-së nga Halepi
Damasku paralajmëroi se operacionet e synuara do të vazhdojnë nëse grupi nuk largohet nga Halepi
Ankara
Afati i caktuar nga qeveria siriane për tërheqjen e SDF-së nga Halepi ka skaduar, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e vendit, transmeton Anadolu.
Afati kohor i dhënë grupit përfundoi në orën 09:00 sipas kohës lokale, pasi ushtria siriane mori në masë të madhe kontrollin e lagjeve Ashrafiyah dhe Bani Zaid përmes operacioneve të synuara kundër pozicioneve të SDF-së në qendrën e qytetit.
Përplasjet, të cilat u intensifikuan të enjten mbrëma dhe vazhduan herë pas here deri në orën 03:00 të mëngjesit në Ashrafiyah dhe Bani Zaid, duke u përshkallëzuar herë pas here përgjatë vijave të lagjes Sheikh Maqsoud, u ndalën pas njoftimit të ministrisë.
"Personave të armatosur do t'u lejohet të mbajnë vetëm armë të lehta personale. Kalimi i tyre i sigurt do të garantohet nga ushtria siriane, duke u mundësuar daljen drejt rajoneve verilindore të vendit", kishte deklaruar ministria.
Forcat siriane pritet të vazhdojnë operacionet e synuara nëse grupi nuk largohet nga Halepi.
- Operacionet në Halep
Sipas zyrtarëve sirianë, grupi terrorist PKK/YPG, që vepron nën emrin SDF, ka kryer sulme në disa lokacione në Halep nga zonat që ka pushtuar që nga 6 janari.
Damasku i kishte bërë thirrje grupit të respektojë marrëveshjen e 10 marsit dhe të ndalë sulmet e tij.
Me vazhdimin e sulmeve, ushtria siriane nisi operacione të synuara kundër pozicioneve të grupit në lagjet Sheikh Maqsoud dhe Ashrafiyah, të cilat ndodheshin nën kontrollin e tij.
Më 10 mars 2025, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke refuzuar çdo përpjekje për ndarje.
Megjithatë, autoritetet thonë se në muajt që pasuan, SDF-ja nuk ka treguar asnjë përpjekje për të përmbushur kushtet e marrëveshjes.
Qeveria ka intensifikuar përpjekjet për ruajtjen e sigurisë në gjithë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Asadit më 8 dhjetor 2024, pas 24 vitesh në pushtet.
Që nga 6 janari, të paktën nëntë sirianë janë vrarë dhe 55 persona, shumica civilë, janë plagosur në sulmet e kryera nga grupi.
Më herët, Komiteti i Qendrës së Qytetit të Halepit kishte njoftuar se 142 mijë persona ishin evakuuar drejt zonave të sigurta brenda qytetit.
