Bota

Siria ndër pikat kryesore të axhendës në takimin Erdoğan-Trump

Erdoğan dhe Trump do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së arritur më 17 tetor midis Turqisë dhe SHBA-ve për të pauzuar operacionin ushtarak turk

Beyza Binnur Dönmez  | 12.11.2019 - Përdıtësım : 13.11.2019
Siria ndër pikat kryesore të axhendës në takimin Erdoğan-Trump

Ankara

Operacioni kundër-terrorist i Turqisë në veri të Sirisë, i cili përcakton orientimin e fundit të marrëdhënieve dypalëshe, pritet të jetë një ndër pikat kryesore të axhendës së takimit të nesërm midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij amerikan, Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan dhe Trump do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së arritur më 17 tetor midis Turqisë dhe SHBA-ve për të pauzuar operacionin ushtarak turk, që lejon terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga zona e sigurt e planifikuar, si dhe marrëdhëniet e SHBA-ve me organizatën terroriste YPG/PKK.

Turqia më 9 tetor nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore dhe për të krijuar një zonë të sigurt përgjatë kufirit, kështu duke i hapur rrugë kthimit vullnetar të refugjatëve sirianë.

Turqia është ankuar se terroristët e YPG/PKK-së, ndonjëherë aleatë të SHBA-ve gjoja për të luftuar DEASH-in, nuk u larguan nga zona dhe se vazhdojnë të kryejnë sulme.

Presidenti Erdoğan po ashtu do të pyes presidentin Trump për ftesën në Washington të drejtuesit të YPG/PKK-së, Ferhat Abdi Şahin, me emrin e koduar Mazlum Koban.

Në fund të muajit tetor, senatorët e SHBA-ve, Lindsey Graham dhe Chris Van Hollen, kërkuan nga Departamenti i Shtetit që t’i lëshojnë Şahin-it vizë për të vizituar Washingtonin.

Trump më herët në Twitter tha se ai parashikon një takim me Şahin-in, një veprim që u kritikua nga zyrtarët turq.

Turqia e sheh Şahin-in si një udhëheqës terrorist të lidhur me grupin PKK, dega siriane e të cilës është YPG/PKK.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnje.

Presidentët turk dhe amerikanë pritet të bisedojnë edhe për avionët luftarakë F-35, nga programi i të cilit Turqia u hoq në muajin korrik, pasi bleu sistemin raketor ajror rus S-400.

Qëllimi i arritjes së vëllimit tregtar prej 100 miliardë dollarësh dhe axhenda kundër-Turqisë në Kongresin e SHBA-ve po ashtu janë ndër temat që do të diskutohen në takim.

Kongresi i SHBA-ve miratoi një rezolutë mbi të ashtuquajturat ngjarjet e vitit 1915 dhe një projekt-ligj që parashikon zbatimin e sanksioneve kundër Turqisë pas operacionit “Burimi i Paqes”.

Qëndrimi i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekja e armenëve në Anadollin lindor ndodhi kur disa morën anën e rusëve pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta.

Turqia kundërshton paraqitjen e incidenteve si “gjenocid”, por ngjarjet e vitit 1915 i përshkruan si një tragjedi në të cilën të dy palët pësuan viktima.

Për të shqyrtuar çështjen, Ankaraja në mënyrë të përsëritur ka propozuar krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Turqia dhe Armenia, si dhe me ekspertë ndërkombëtar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.