Bota

Siria ndryshon stemën e saj kombëtare

Të gjitha simbolet, vulat, dokumentet zyrtare, kartat e identitetit dhe pasaportat që i përkasin institucioneve shtetërore në Siri do të zëvendësohen me stemën e re kombëtare

Ömer Koparan, Muhammed Karabacak  | 04.07.2025 - Përdıtësım : 04.07.2025
Siria ndryshon stemën e saj kombëtare

Damask

Siria ka ndryshuar stemën e saj kombëtare të vendit, gjatë procesit të rindërtimit pas përmbysjes së regjimit 61-vjeçar Baath në vend, raporton Anadolu.

Stema e re kombëtare e vendit iu prezantua publikut në një program të mbajtur në Pallatin Presidencial në Damask, kryeqytetin e Sirisë.

Të gjitha simbolet, vulat, dokumentet zyrtare, kartat e identitetit dhe pasaportat që i përkasin institucioneve shtetërore në Siri do të zëvendësohen me stemën e re kombëtare.

Në stemën e re paraqitet një shqiponjë me 14 pendë në krahë që përfaqësojnë provincat siriane. Përveç kësaj, 2 yjet në mburojën e shqiponjës janë rritur në 3.

Gjithashtu janë hequr edhe 2 kallinjtë e grurit që simbolizojnë karakterin bujqësor në stemën e vjetër kombëtare.

Në anën tjetër, stema kombëtare e sapo prezantuar u festua me entuziazëm në të gjithë vendin.

Presidenti sirian, Ahmed Al-Shara, në fjalimin e tij në programin e prezantimit të stemës kombëtare të vendit tha: "Kushdo që studion historinë do të shohë se Damasku është fillimi dhe fundi i historisë botërore dhe do të kuptojë se ajo që përjetuam gjatë regjimit të përmbysur ishte periudha më poshtëruese në historinë e Damaskut".

"Stema kombëtare që kemi prezantuar sot përfaqëson një Siri të bashkuar që nuk pranon ndarjen dhe copëtimin", tha Shara, duke falënderuar të gjithë sirianët që kontribuuan në krijimin e stemës së re kombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.