Siria dhe Kina zotohen për bashkëpunim më të ngushtë në siguri dhe kundërterrorizëm
Pekini ka shprehur mbështetje për procesin politik të Sirisë, përpjekjet për të luftuar terrorizmin dhe narkotikët, thuhet në një deklaratë të përbashkët
Stamboll
Siria dhe Kina kanë rënë dakord sot të thellojnë bashkëpunimin në fushat e sigurisë dhe kundërterrorizmi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve të ministrit të Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, në Pekin me homologun e tij kinez, Wang Yi, thuhet se të dyja palët ranë dakord të forcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin në fushat e kundërterrorizmit dhe sigurisë.
Sipas deklaratës, dy ministrat kanë zhvilluar "bisedime konstruktive dypalëshe" dhe kanë shkëmbyer pikëpamje mbi marrëdhëniet siriano-kineze dhe shqetësimet e përbashkëta ndërkombëtare.
Të dyja palët kanë theksuar "rëndësinë e miqësisë historike" mes Sirisë dhe Kinës dhe janë zotuar të ruajnë dhe zhvillojnë marrëdhëniet, të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe mosndërhyrje në punët e brendshme.
Ata kanë nënvizuar interesin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë dhe zhvillimit, rindërtimin e Sirisë, ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së sirianëve, si dhe në fusha më të gjera me interes të përbashkët.
Shaibani ka thënë se Damasku është i përgatitur të zgjerojë bashkëpunimin me Kinën në të gjitha fushat, duke theksuar ndjeshmërinë e Sirisë ndaj shqetësimeve të sigurisë së Kinës.
Siria "nuk do të jetë burim kërcënimi për Kinën dhe nuk do të lejojë asnjë entitet të përdorë territorin e saj për të dëmtuar sigurinë, sovranitetin ose interesat e Kinës", ka deklaruar tha ai.
Shefi i diplomacisë ka falënderuar Kinën për gjithë ndihmën që i ka ofruar popullit sirian, duke shprehur gatishmëri për të forcuar bashkëpunimin me Pekinin në të gjitha fushat dhe duke lavdëruar modelin novator të zhvillimit të Kinës që ka sjellë siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj.
Ministri ka përsëritur "angazhimin e palëkundur të Sirisë ndaj parimit të 'Një Kine'", duke njohur qeverinë kineze si "të vetmen qeveri legjitime që përfaqëson gjithë Kinën” dhe duke pohuar se Tajvani është “pjesë integrale e Kinës".
Ai ka shprehur "kundërshtimin kategorik" të Sirisë ndaj çdo force që ndërhyn në punët e brendshme të Kinës. Ai gjithashtu ka vlerësuar nismat e zhvillimit të presidentit kinez Xi Jinping dhe ka shprehur "gatishmërinë e Sirisë për t'u angazhuar pozitivisht me to".
Wang, nga ana e tij, ka shprehur mbështetje për procesin politik të Sirisë, përpjekjet e saj kundër terrorizmit dhe narkotikëve, duke theksuar se Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli, janë "tokë siriane e pushtuar me njohje ndërkombëtare".
Sipas deklaratës, Kina ka rikonfirmuar "respektin e plotë për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe unitetin kombëtar" të Sirisë, duke njohur qeverinë siriane si "përfaqësuesin e vetëm legjitim të popullit sirian".
Ndërkohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një burim të Ministrisë së Jashtme, mohoi raportimet e mediave për plane të Damaskut për t'i dorëzuar luftëtarë ujgurë Kinës.
Raportimet e mediave pretendonin më herët se Siria planifikonte t'i transferonte luftëtarë ujgurë Pekinit gjatë vizitës së Shaibanit në Kinë.
Kjo është vizita e parë e Shaibanit në Kinë që nga formimi i qeverisë së re siriane në janar nga presidenti Ahmad al-Sharaa, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit dhjetorin e kaluar.
Vizita e Shaibanit në Pekin vjen si pjesë e përpjekjeve të administratës së re siriane për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë në fusha të ndryshme dhe për të hequr sanksionet ekonomike dhe politike, në kuadër të përpjekjeve për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta civile rreth 13-vjeçare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
