Siria dhe BE-ja diskutojnë aktivizimin e planeve të rimëkëmbjes së hershme dhe rindërtimit pas heqjes së sanksioneve
Ministri sirian dhe diplomati evropian theksuan domosdoshmërinë e koordinimit të kthimit dinjitoz dhe vullnetar të refugjatëve sirianë me BE-në dhe vendet e tjera fqinje, përfshirë Turqinë, Jordaninë dhe Libanin

Stamboll
Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Asaad al-Shaibani, ka diskutuar me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, mënyrat e aktivizimit të planeve të rimëkëmbjes së hershme dhe rindërtimit pas vendimit të bllokut evropian për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Sirisë njoftoi se Shaibani në një telefonatë me diplomaten evropiane shprehu vlerësimin e tij për vendimin e BE-së për të hequr plotësisht sanksionet ekonomike ndaj Sirisë, duke e quajtur atë një "tregues pozitiv drejt forcimit të lidhjeve të bashkëpunimit dhe mbështetjes së shtigjeve të stabilitetit".
Shaibani dhe Kallas ranë dakord për veprime të përbashkëta për hapat e ardhshëm dhe rëndësinë e koordinimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në lidhje me çështjet politike, humanitare dhe ekonomike.
Diskutimi gjithashtu mbuloi "rëndësinë e aktivizimit të planeve të rimëkëmbjes së hershme dhe rindërtimit përmes bashkëpunimit të ngushtë midis qeverisë siriane dhe BE-së për të siguruar një përgjigje efektive ndaj nevojave themelore dhe mbështetjes së infrastrukturës”.
Ministri sirian dhe diplomati evropian theksuan domosdoshmërinë e koordinimit të kthimit dinjitoz dhe vullnetar të refugjatëve sirianë me BE-në dhe vendet e tjera fqinje, përfshirë Turqinë, Jordaninë dhe Libanin.
Vendimi i BE-së erdhi një javë pas direktivave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Departamentin e Thesarit për heqjen e sanksioneve që u vendosën ndaj Sirisë në vitin 1979 dhe u zgjeruan pas shpërthimit të luftës civile siriane në vitin 2011.
Bashar al-Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi në muajin dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963.
Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit për të rrëzuar Assadin, u shpall president për një periudhë kalimtare në fund të janarit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.