Siri, oligarku nga radhët e regjimit të rrëzuar të Asadit kritikon thirrjen e klerikut Gazal për "federatë"
Rami Makhlouf, vendndodhja e të cilit nuk dihet që pas revolucionit, bëri një deklaratë lidhur me protestat e 28 dhjetorit kundër administratës së Damaskut në rajonin bregdetar që përfshin provincat Latakia dhe Tartus si dhe disa provinca të tjera
Damask
Rami Makhlouf, një nga oligarkët e regjimit të rrëzuar në Siri dhe i afërt me familjen e Asadit, reagoi ndaj thirrjeve të klerikut Gazal Gazal për organizimin e protestave kundër administratës së re në rajonin bregdetar dhe ndaj kërkesës së tij për federatë, transmeton Anadolu.
Makhlouf, vendndodhja e të cilit nuk dihet që pas revolucionit, bëri një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale lidhur me protestat e mbajtura më 28 dhjetor kundër administratës së Damaskut në rajonin bregdetar që përfshin provincat Latakia dhe Tartus si dhe në disa provinca të tjera të Sirisë.
"Fatkeqësisht, disa njerëz po na shtyjnë drejt një rruge shumë të rrezikshme, drejt një rruge pa kthim. Po tërhiqemi në punë ku alevitët nuk duhet të përfshihen kurrë", tha Makhlouf duke i bërë thirrje popullit të ruajë qetësinë dhe të qëndrojë në shtëpi.
Duke vënë në shënjestër klerikun Gazal Gazal, i cili u bëri thirrje njerëzve të dalin në rrugë, Makhlouf u shpreh: "Cili ishte rezultati? Disa njerëz dolën. Për shembull, Shejh Gazal doli duke hapur gjoksin. Po çfarë do të thotë kjo? A do të zhdukemi sot të gjithë? Për çfarë, për federalizim?".
Makhlouf, kushëri i Bashar al-Asadit, në mesazhin e tij theksoi: "Sot po flasim për federalizim, por është e qartë se federalizimi nuk ka asnjë vlerë pa një forcë që të na mbrojë".
Gazal Gazal, i njohur si kryetar i Këshillit të Lartë Islam të alevitëve në Siri dhe diasporë dhe për afërsinë e tij me regjimin e rrëzuar, u kishte bërë thirrje mbështetësve të tij të organizonin protesta më 28 dhjetor, duke kërkuar federatë politike, mbrojtje ndërkombëtare dhe duke protestuar kundër administratës së Damaskut.
Në ngjarjet ku protestat kundër administratës u shndërruan herë pas here në akte dhune, ku disa persona të armatosur kryen provokime dhe u përfshinë edhe grupe me qëndrime kundërshtare, u vranë 4 persona dhe u plagosën 108 të tjerë.
