Politikë, Bota

Sinjalizuesja për të drejtat e njeriut pretendon se OKB dëshiron ta pushojë nga puna

"OKB po heton dhe po planifikon të më largojë nga puna sepse informova qeveritë kombëtare të OKB-së se Kinës po i jepen emrat e shtetasve të tyre në mënyrë që Kina të mund t'i vendos në shënjestër familjet e tyre", shkroi Reilly

Ekip   | 14.01.2021
Sinjalizuesja për të drejtat e njeriut pretendon se OKB dëshiron ta pushojë nga puna

Gjenevë

Një avokate për të drejtat e njeriut në zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) pretendon se ajo mund të pushohet nga puna pasi akuzoi punëdhënësin e saj për ndarjen e emrave të kundërshtarëve të qeverisë kineze që morën pjesë në aktivitetet e OKB-së me zyrtarët kinezë, përfshirë aktivistë ujgurë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të martën në një postim në llogarinë e saj në Twitter, e punësuara në OKB, Emma Reilly, pretendoi se "OKB asnjëherë nuk ka hetuar përgjegjësit ose nuk ka ndaluar së dorëzuari emra".

"OKB po heton dhe po planifikon të më largojë nga puna sepse informova qeveritë kombëtare të OKB-së se Kinës po i jepen emrat e shtetasve të tyre në mënyrë që Kina të mund t'i vendos në shënjestër familjet e tyre", shkroi Reilly.

Megjithatë, OKB mohoi përfshirjen në ndonjë "veprim të pahijshëm". Dje, një zëdhënës i Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Rupert Colville, tha se pretendimi i saj në lidhje me "një praktikë të kaluar" dhe pretendimi i saj se kjo ndodh tani është "i gabuar".

"Pretendimet e znj. Reilly janë të lidhura me një praktikë historike të ndërprerë, ku emrat e pjesëmarrësve të Këshillit të të Drejtave të Njeriut herë pas here iu konfirmoheshin shteteve në rrethana të kufizuara, me kujdes për t'u siguruar se asnjë veprim i OHCHR-së të mos rrezikonte aktivistët e të drejtave të njeriut", tha Colville.

Ai theksoi se OHCHR "nuk është në dijeni të ndonjë prove se ndonjë veprim nga zyra në lidhje me këtë ka rezultuar në dëm të ndonjë pjesëmarrësi".

Por Reilly thotë se përmes përfaqësuesit të përhershëm të Kinës në zyrën e OKB-së në Gjenevë zyrtarët kinezë kërkuan nga OKB emrat e figurave të opozitës që marrin pjesë në ngjarjet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, që mbahen tre herë në vit, si dhe pretendoi se po kryhet presion mbi familjet e aktivistëve ujgurë që marrin pjesë në takime.

Nga ana tjetër, Colville tha se "që nga viti 2015 edhe kjo praktikë e kufizuar u ndërpre".

"Për pesë vitet e fundit, OHCHR nuk ka konfirmuar emrat e aktivistëve individualë të akredituar për të marrë pjesë në seancat e Këshillit të të Drejtave të Njeriut te ndonjë shtet. Pretendimet e përsëritura të znj. Reilly se praktika vazhdon deri më sot janë të gabuara", theksoi Colville.

Reilly argumentoi se OKB ka filluar një hetim dhe planifikon ta pushojë nga puna për shkak të asaj që ajo raportoi.

"Znj. Reilly ka përfshirë procese gjyqësore në shumë procedura në lidhje me këto çështje para Tribunalit të Pavarur të Mosmarrëveshjeve të OKB-së dhe Tribunalit të Apelit të OKB-së, disa prej të cilave janë në vazhdim. Kundërshtimet e shumta faktike ose ligjore, të cilat Reilly vazhdon t'i shfaq në fushën publike, janë refuzuar nga vendimet përfundimtare dhe tashmë urdhrat e marra nga ato tribunale", tha Colville.

Avokatja e të drejtave akuzoi zyrën e OHCHR-së për "dhënien në mënyrë sekrete Kinës të emrave të aktivistëve që kishin kritikuar Partinë Komuniste Kineze dhe persekutimin e tyre".

Reilly argumentoi se pavarësisht hetimit të OKB-së ndaj qeverisë kineze, ajo "kurrë nuk bëri një hetim" ndaj stafit të OKB-së. Ajo etiketoi adresat në Twitter të delegacionit të OKB-së në Gjenevë, misionet e Mbretërisë së Bashkuar, Irlandës, Gjermanisë, SHBA-ve, Holandës, Suedisë, Norvegjisë, Zvicrës dhe Kanadasë.

Më 29 shtator, Abdulxukur Abdurixi, një ujgur i internuar në Zvicër, bëri thirrje për emërimin e një hetuesi të posaçëm të OKB-së për rajonin e tij në Kinë, Xinjiang, ku ai tha se familja e tij po mbahet peng në një kamp përqendrimi.

Abdurixi thirrjen e tij e bëri gjatë kritikave në një seancë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut që vinte nga kombet perëndimore, përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Australinë, Britaninë dhe Kanadanë, në të cilën po ashtu u kritikua trajtimi nga Kina i të drejtave ligjore në Hong Kong.

"Po bëhet një gjenocid kundër popullit tim", tha Abdurixi, i cili mbështetej nga grupi Drejtësi për Ujgurët me qendër në Zvicër.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın