Bota

Si pjesë e luftës psikologjike, Izraeli do të transmetojë fjalimin e Netanyahut në OKB në Gaza nëpërmjet altoparlantëve

"Është një ide e çmendur, askush nuk e kupton se cili është përfitimi ushtarak i saj", ka thënë një oficer i lartë ushtarak

Rania R.a. Abushamala  | 26.09.2025 - Përdıtësım : 26.09.2025
Si pjesë e luftës psikologjike, Izraeli do të transmetojë fjalimin e Netanyahut në OKB në Gaza nëpërmjet altoparlantëve

Kuds/Stamboll

Si pjesë e një taktike të "luftës psikologjike" kundër palestinezëve, ushtria izraelite do të transmetojë fjalimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Rripin e rrethuar të Gazës nëpërmjet altoparlantëve, transmeton Anadolu.

"Komanda Jugore e ushtrisë do të transmetojë fjalimin e kryeministrit në OKB nëpërmjet altoparlantëve brenda Rripit të Gazës sot (e premte)", tha autoriteti izraelit i transmetimit KAN.

Arsyeja për këtë hap është e paqartë, shtoi KAN, duke cituar një burim të paidentifikuar të ketë thënë se Netanyahu "do të theksojë në fjalimin e tij sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj bazave ushtarake izraelite, i cili u konsiderua shkelja më e madhe e sigurisë në historinë e Tel Avivit".

Ndërkaq, Kanali 12 i Izraelit raportoi: "Në ditët e fundit, Zyra e Kryeministrit i kërkoi ushtrisë izraelite të vendosë altoparlantë në pika të ndryshme brenda Gazës në mënyrë që banorët (palestinezët) të mund të dëgjojnë fjalimin e Netanyahut në OKB".

Kanali shtoi se Zyra e Kryeministrit dhe ushtria kanë refuzuar të komentojnë mbi këtë hap.

Duke cituar burime ushtarake të paidentifikuara, ai tha se kërkesa nga zyra e Netanyahut "mund të paraqesë rrezik operacional për ushtarët, të cilët do të duhet të largohen nga pozicionet e fortifikuara për të instaluar altoparlantët".

E përditshmja izraelite "Haaretz" citoi një oficer të lartë të ketë thënë: "Është një ide e çmendur, askush nuk e kupton se cili është përfitimi ushtarak i saj".

Një burim tjetër izraelit i paidentifikuar i ka thënë gazetës se ky veprim është pjesë e "luftës psikologjike".

Fjalimi i Netanyahut sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York përkon me orën 16:00 në Palestinë dhe Izrael (13:00GMT).

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 65.500 palestinezë në Rripin e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Bombardimet intensive dhe bllokada e ndihmës humanitare e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në uri të përhapur dhe përhapjen e sëmundjeve.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın