Shumë të rinj në Norvegji duan të zvogëlojnë ose mbyllin rrjetet sociale
Sipas sondazhit, 38 për qind e të anketuarve thonë se kalojnë shumë kohë në mediat sociale dhe 30 për qind duan të dalin nga rrjetet sociale
Istanbul
Sipas një sondazhi të ri, gjithnjë e më shumë fëmijë dhe të rinj norvegjezë duan të zvogëlojnë përdorimin e mediave sociale, transmeton Anadolu.
Një raport i ri nga Autoriteti Norvegjez i Medias tha se 38 për qind e fëmijëve dhe të rinjve të anketuar thonë se kalojnë shumë kohë në mediat sociale ndërsa 30 për qind dëshirojnë të largohen nga rrjetet, raportoi transmetuesi publik NRK.
Sondazhi i kryer me 1.750 të rinj të moshës 9-18 vjeç, tha se ka patur rritje të lehtë midis atyre që janë të shqetësuar për përdorimin e tyre të mediave sociale që nga hera e fundit që u krye në vitin 2024.
Ndërsa Autoriteti Norvegjez i Medias kërkon të zbulojë pse funksionet dhe dizajni i aplikacioneve e bëjnë të vështirë ose të pamundur shkëputjen, studiuesi Henrik Haug Saetra tha se platformat kryesore të mediave sociale punësojnë ekspertë të përkushtuar për të rritur përdorimin e përdoruesve.
"Quhet ndër të tjera 'dizajn varësie'", tha për NRK Kamilla Steinnes, një studiuese në OsloMet.
Ajo shpjegoi se e ka të vështirë të shkëputet nga rrjeti, duke shpjeguar se videot e shkurtra dhe argëtuese krijojnë një ndjenjë komuniteti dhe përkatësie, ndërkohë që i mbajnë përdoruesit të angazhuar dhe të përditësuar.
"Nëse shkëputeni nga rrjeti, frika se mos humbisni diçka rritet. Kjo e bën të vështirë ta lini telefonin mënjanë", shtoi Steinnes.
Gjithashtu thuhet se 28 për qind e të anketuarve pajtohen se mediat sociale i pengojnë të flenë mjaftueshëm.
Raporti vjen mes përpjekjeve në rritje nga vendet në mbarë botën për të kufizuar ose ndaluar përdorimin e mediave sociale nga të miturit.
