Bota, Ekonomi

"Shumë amerikanë vuajnë nga inflacioni dhe sëmundjet kronike të lidhura me ushqimin"

Rreth 900 persona vdesin çdo ditë në SHBA nga sëmundjet e zemrës të lidhura me ushqimin

Servet Günerigök  | 27.09.2022 - Përdıtësım : 28.09.2022
"Shumë amerikanë vuajnë nga inflacioni dhe sëmundjet kronike të lidhura me ushqimin"

Washington

Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden do të organizojë një konferencë mbi të ushqyerit dhe urinë në një kohë kur shumë amerikanë vuajnë nga inflacioni dhe sëmundjet kronike të lidhura me ushqimin, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca e Shtëpisë së Bardhë për urinë, ushqyerjen dhe shëndetin do të mbahet të mërkurën, për të cilën Biden tha se do të jetë e para e këtij lloji në më shumë se 50 vjet.

“Miliona amerikanë janë të prekur nga pasiguria ushqimore dhe sëmundjet e lidhura me ushqimin, përfshirë sëmundjet e zemrës, obezitetin dhe diabetin e tipit 2, të cilat janë disa nga shkaqet kryesore të vdekjes dhe invaliditetit në vend", thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

“Mungesa e qasjes në ushqime të shëndetshme dhe të përballueshme është një nga shumë faktorët që ndikojnë në urinë dhe sëmundjet e lidhura me ushqimin”, tha ai duke shtuar se pandemia e COVID-19 i ka përkeqësuar më tej këto sfida.

Sipas studiuesve, rreth 900 persona vdesin çdo ditë në SHBA nga sëmundjet e zemrës të lidhura me ushqimin dhe miliona të tjerë janë në rrezik të lartë.

Inflacioni mbetet një nga sfidat më të mëdha për politikën e administratës së Bidenit ndërsa miliona amerikanë ankohen për çmimet e larta të ushqimit si dhe për shpenzimet shtëpiake dhe madje edhe për normat e hipotekave, të cilat kalojnë 7 për qind.

Inflacioni i konsumatorit në SHBA tregon rritje vjetore prej 8.3 për qind në gusht, mbi vlerësimin e tregut prej 8.1 për qind, ndërkaq në qershor arriti kulmin në 9.1 për qind me bazë vjetore.

Rritja e urisë mbetet një tjetër pengesë për administratën.

"New York Times" raportoi në fillim të gushtit se shumica e amerikanëve janë të uritur ndërsa bankat e ushqimit tregojnë për rënie të mbështetjes për shkak të rënies së donacioneve.

Konferenca ka për qëllim të mbledhë së bashku liderë qeveritarë, akademikë, aktivistë dhe amerikanë nga të gjitha sferat e jetës me synimin për t'i dhënë fund urisë dhe reduktimin e sëmundjeve të lidhura me ushqimin në SHBA deri në vitin 2030.

Me këtë rast, administrata e Bidenit pritet të shpallë strategjinë kombëtare për identifikimin e veprimeve për të adresuar problemet midis ushqimit, urisë, ushqyerjes dhe shëndetit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.