Shtëpia e Bardhë: Trump shpreson shumë se marrëveshja për Grenlandën do të finalizohet
"Nëse kjo marrëveshje miratohet dhe presidenti Trump shpreson shumë që do të ndodhë, SHBA-ja do të arrijë të gjitha qëllimet e saj strategjike në lidhje me Grenlandën me kosto të ulët", tha Shtëpia e Bardhë
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është "shumë shpresues" se një marrëveshje kornizë mbi territorin danez të Grenlandës do të finalizohet, tha sot Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu.
"Nëse kjo marrëveshje miratohet dhe presidenti Trump shpreson shumë se do të ndodhë, SHBA-ja do të arrijë të gjitha qëllimet e saj strategjike në lidhje me Grenlandën me kosto të ulët", tha rezidenca ekzekutive në një deklaratë.
"Presidenti Trump po dëshmon edhe një herë se është një ndërmjetësues marrëveshjesh. Ndërsa detajet finalizohen, ato do të publikohen në përputhje me rrethanat", thuhet në deklaratë.
Detajet mbi marrëveshjen kanë qenë të pakta, por Trumpi tha më herët sot se negociatat janë duke vazhduar. Ai pohoi se çdo marrëveshje do t'i sigurojë SHBA-së "qasje të plotë" në ishull dhe vazhdoi të pohonte se nuk do të kufizohet nga një afat kohor.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe Trumpi u takuan të mërkurën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos të Zvicrës, mes tensioneve midis aleatëve në Evropë dhe SHBA-së për shkak të përpjekjes së Trump për të blerë Grenlandën.
Trumpi njoftoi menjëherë pas takimit se ishte krijuar një kornizë për një marrëveshje të mundshme që përfshin Grenlandën dhe rajonin më të gjerë të Arktikut.
Presidenti i SHBA-së ka treguar interes për Grenlandën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Arktik, burimeve të pasura minerale dhe shqetësimeve për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Danimarka dhe Grenlanda kanë hedhur poshtë propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.
