Shtëpia e Bardhë thotë se Irani ndaloi 800 ekzekutime të planifikuara mes protestave
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se të gjitha opsionet mbeten në tryezë për presidentin Trump, ndërsa Washingtoni po e monitoron situatën në Iran
Washington
Shtëpia e Bardhë deklaroi të enjten se autoritetet iraniane kanë “pezulluar” 800 ekzekutime të planifikuara, mes protestave që kanë zgjatur prej javësh, duke shtuar se Washingtoni po e “monitoron nga afër” situatën, raporton Aandolu.
“Presidenti sot mëson se 800 ekzekutime që ishin planifikuar dhe pritej të zhvilloheshin dje, janë ndalur”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Leavitt tha se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po vazhdon të vlerësojë zhvillimet lidhur me Iranin dhe sinjalizoi se hapa të tjerë mbeten të mundshëm.
“Presidenti dhe ekipi i tij po e ndjekin nga afër këtë situatë dhe të gjitha opsionet mbeten në tryezë për presidentin”, tha Leavitt.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka premtuar vazhdimisht mbështetje për protestuesit në Iran, ku demonstratat antiqeveritare kanë përfshirë vendin që nga muaji i kaluar.
Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetje të asaj që e quajnë “trazira” dhe “terrorizëm” gjatë protestave.
Autoritetet nuk kanë publikuar shifra zyrtare për viktima ose të ndaluar. Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me bazë në SHBA, vlerëson se janë vrarë mbi 2.600 persona, përfshirë protestues dhe forca sigurie.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
