Bota

Shtëpia e Bardhë: SHBA-ja po shqyrton opsionet për marrjen e Grenlandës, përfshirë ato ushtarake

“Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh ... dhe, sigurisht, përdorimi i Ushtrisë së SHBA-së është gjithmonë një opsion në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhé

Rabia İclal Turan, Michael Gabriel Hernandez  | 07.01.2026 - Përdıtësım : 07.01.2026
Shtëpia e Bardhë: SHBA-ja po shqyrton opsionet për marrjen e Grenlandës, përfshirë ato ushtarake

Washington

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton një “sërë opsionesh” për ta marrë nën kontroll Grenlandën, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë amerikane, njoftoi të martën Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se marrja e Grenlandës është prioritet i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe se ajo është thelbësore për të penguar kundërshtarët tanë në rajonin e Arktikut”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në përgjigje të një pyetjeje nga Anadolu.

“Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për ta ndjekur këtë objektiv të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, sigurisht, përdorimi i Ushtrisë së SHBA-së është gjithmonë një opsion në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm”, shtoi Leavitt.

Deklarata erdhi pas përsëritjes nga presidenti Trump të propozimeve për ta marrë ishullin për qëllime strategjike.

Një ditë pas operacionit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, ku u kap presidenti Nicolas Maduro, Trump të dielën rinovoi thirrjen e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës për interesa të “sigurisë kombëtare”.

“Na duhet Grenlanda, nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, tha ai, kur u pyet për ndonjë veprim të mundshëm të SHBA-së ndaj Grenlandës.

Grenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe ka refuzuar vazhdimisht çdo propozim që nënkupton transferim sovraniteti te SHBA-ja.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka bërë thirrje Trumpit që të “ndalojë kërcënimet”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın