Shtetet e Mesdheut kërkojnë shtimin e përpjekjeve për paqe në Palestinë, Libi dhe Siri
“UfM mund të kontribuojë në rajonin e Mesdheut duke krijuar, nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit, një mjedis politik që është i favorshëm për zgjidhjen e konflikteve dhe tensioneve politike që prekin anëtarët”, thuhet në deklaratë

Oviedo
Unioni për Mesdheun (UfM) bëri thirrje për shtimin e përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve që po e pengojnë rajonin nga zhvillimi dhe integrimi, raporton Anadolu Agency (AA).
Bashkëpresidenca jordaneze dhe ajo e BE-së e UfM-së lëshuan një deklaratë të përbashkët pas forumit të gjashtë rajonal të unionit që u mbyll në Barcelonë të hënën në mbrëmje.
Pika e parë përqendrohej në konfliktin izraelito-palestinez, ku palët inkurajuan të gjitha përpjekjet "për arritjen e paqes gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme dhe rinisjen e negociatave efektive për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete".
Palestina dhe Izraeli janë anëtarë në UfM.
Ndërsa deklarata përshëndeti kontaktet e fundit të nivelit të lartë, ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mosminimit të besimit me lëvizje të tilla si shtytja e Izraelit për të ndërtuar vendbanime të reja ilegale.
Gjetja e një zgjidhjeje politike për krizën në Libi ishte një tjetër pikë nga shqetësimet kryesore të unionit.
Deklarata theksoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në dhjetor dhe ruajtjen e marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2020, e cila do të rezultonte në "tërheqjen e plotë të të gjitha forcave të huaja, luftëtarëve të huaj dhe mercenarëve nga territoret libiane".
Një tjetër çështje urgjente ishte Siria, vendi i vetëm që është pezulluar nga Unioni 42-anëtarësh.
Forumi theksoi nevojën për vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhje politike të krizës siriane, duke rinovuar gjithashtu angazhimin e tij për të ofruar ndihmë humanitare për sirianët në nevojë.
“UfM mund të kontribuojë në këto synime në rajonin e Mesdheut duke krijuar, nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit, një mjedis politik që është i favorshëm për zgjidhjen e konflikteve dhe tensioneve politike që prekin anëtarët”, thuhet në deklaratë.
Përveç diskutimit të konflikteve që shqetësojnë Mesdheun, përfaqësuesit e vendeve në margjinat e forumit gjithashtu u takuan për të shqyrtuar përparimin e integrimit rajonal.
“Pavarësisht progresit të bërë, gjithashtu është e vërtetë se, pavarësisht potencialit të tij të madh, rajoni mbetet një nga rajonet më të fragmentuara ekonomikisht në gjithë botën”, shtohet në deklaratë.
Turqia është një nga anëtarët themelues të UfM-së, e cila është një degë e Procesit të Partneritetit Euro-Mesdhetar që filloi në vitin 1995.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.