Shtëpia e Bardhë shpreson që Rusia dhe Ukraina të zhvillojnë bisedime në Stamboll javën e ardhshme
“Shpresojmë që javën tjetër do të ecim përpara”, tha zëdhënësja Karoline Leavitt

Washington
Shtëpia e Bardhë tha sot se shpreson që Rusia dhe Ukraina të fillojnë negociatat javën tjetër në Stamboll për të çuar përpara përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit ndaj fqinjit të saj në Evropën Lindore, raporton Anadolu.
“Shpresojmë që Rusia dhe Ukraina të angazhohen në bisedime dhe negociata të drejtpërdrejta javën tjetër në Stamboll dhe ne besojmë se ky takim do të zhvillohet dhe ky është një takim për të cilin presidenti i inkurajoi dhe i nxiti këto dy palë të bashkohen dhe të negociojnë drejtpërdrejt”, u tha zëdhënësja Karoline Leavitt gazetarëve.
“Presidenti ka qenë i qartë që nga fillimi i këtij konflikti se dëshiron ta shohë këtë konflikt të zgjidhur në tryezën e negociatave, jo në fushën e betejës. Dhe ai ua ka thënë këtë të dy udhëheqësve, si publikisht, ashtu edhe privatisht. Pra, shpresojmë që javën tjetër do të ecim përpara”, shtoi ajo.
Leavitt tha se nuk ka plane që presidenti Donald Trump të dërgojë një përfaqësues të SHBA-së në bisedime, por e la atë mundësi të hapur.
Raundi i dytë i negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës është propozuar për 2 qershor në Stamboll, pas një takimi të 16 majit në të cilin të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve dhe përgatitjen e draftdokumenteve për të çuar përpara përpjekjet për paqe.
Ndërsa Rusia këmbëngul se do ta paraqesë draftin në bisedime, pala ukrainase ka kërkuar që dokumenti të paraqitet menjëherë.
Kremlini e ka quajtur qëndrimin e Kievit si “jokonstruktiv”.