Shqipëria reagon mbi pretendimin e Greqisë për zgjerimin në ujërat territoriale në Detin Jon
"Thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982." shkruan kryeministri Edi Rama

Tiranë
Shqipëria ka reaguar në lidhje me pretendimin e Greqisë se planifikon të zgjerojë ujërat territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje, transmeton Anadolu Agency(AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale në lidhje me këtë çështje, duke iu referuar edhe kritikave në media apo në rrjetet sociale shkruan se "E njëjta deklaratë, krejt korrekte, e kryeministrit Mitsotakis këto ditë, po ushqen përsëri padinë si argument tradhtie të qeverisë sonë".
"E vërteta është e thjeshtë. Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982. Sa për dijeni të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, çka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë", shprehet Rama.
Rama thekson se "Kjo e drejtë e jona, nuk është çështje negociate dhe negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cenojnë dot assesi të drejtën në fjalë. As për Shqipërinë, as për Greqinë".
Sipas tij, kushdo që është i interesuar për këtë çështje, "s'ka pse bëhet bashkëfajtor me ata që detin e duan kos për orekset e tyre politike dhe që pa pikën e turpit, ushqejnë paditurinë me helmin e nacionalizmit".
"Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t'u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan marrëveshjen, s'ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht arsye lufte për pushtet", ka shkruar Rama.
"Qeveria shqiptare vlerëson arritjen e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare mes vendeve të rajonit të Mesdheut"
Për të njëjtën çështje ka reaguar edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili në rrjetet sociale shkruan se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Parlamentin grek dhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të vendit fqinj.
Cakaj, duke theksuar se "Qeveria shqiptare vlerëson arritjen e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare mes vendeve të rajonit të Mesdheut, duke u mbështetur në normat ndërkombëtare për të drejtën e detit dhe frymën e miqësisë dhe interesit reciprok".
Sipas Cakajt, e drejta që buron nga Konventa e së Drejtës së Detit, nuk është çështje negociate mes shteteve palë të konventës dhe sipas tij në të gjitha rastet shtetet që janë në procese negociuese mbi delimitimin e hapësirave detare "janë të detyruara që të ndjekin parimet, frymën dhe kriteret e konventës që u njeh shteteve palë të drejtën e zgjerimit të ujërave territoriale deri në 12 milje detare".
Ministri Cakaj në fund thekson se Qeveria e Shqipërisë do të jetë e vëmendshme për çdo proces legjislativ në vendin fqinj, që sipas tij, "mund të ketë ndikim në ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtave sovrane në hapësirën detare që i takon".
Kujtojmë se Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë seancës në Parlamentin e Greqisë njoftoi se planifikojnë të zgjerojnë ujërat territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.