Politikë, Bota

Shpyllëzimi i Amazonës në Brazil bie me 22.3 për qind

Qeveria e presidentit Luiz Inacio Lula da Silva premton se do të intensifikojë përpjekjet për të ndaluar tërësisht shpyllëzimin e Amazonës deri në vitin 2030

Alperen Aktaş  | 10.11.2023 - Përdıtësım : 13.11.2023
Shpyllëzimi i Amazonës në Brazil bie me 22.3 për qind

Istanbul

Prerjet e paligjshme dhe shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil ranë me 22.3 për qind midis gushtit 2022 dhe korrikut 2023, transmeton Anadolu.

Qeveria në një deklaratë tha se kjo shënon sipërfaqen më të vogël të shpyllëzuar që nga viti 2019. Gjithashtu thuhet se gjatë kësaj periudhe, një sipërfaqe prej 9.001 kilometra katrorë u shpyllëzua.

Deklarata tha se presidenti Luiz Inacio Lula da Silva ka luftuar në mënyrë aktive për mbrojtjen e pyjeve tropikale të Amazonës në shtatë muajt e parë të mandatit të tij, por ulja e arritur është ende larg qëllimit të synuar.

Ministrja e Mjedisit, Marina Silva në një konferencë për media tha se qeveria është e angazhuar për eliminimin e plotë të kësaj çështje deri në vitin 2030 si pjesë e luftës aktive kundër shpyllëzimit.

Silva përmendi thatësirën serioze në shtetin Amazonas lidhur me fenomenin El Nino dhe ndryshimet klimatike. "Ne e dinim se kjo ishte një sfidë e rëndësishme, por e rritëm kapacitetin tonë monitorues me 200 për qind dhe plani po jep rezultate shumë të shpejta", tha ajo.

Amazona, e njohur si pylli tropikal më i madh në botë, përballej me shpyllëzim të konsiderueshëm çdo vit gjatë mandatit të ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.