Bota

Shpërthen vullkani Hayli Gubbi për herë të parë pas gati 12 mijë vjetësh

Autoritetet e Indisë të trafikut ajror po përgatiten për ndërprerje të mundshme pasi një shpërthim i rrallë vullkanik në Etiopi ka lëshuar re masive hiri drejt nënkontinentit indian

Seyit Şamil Kurt  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 24.11.2025
Shpërthen vullkani Hayli Gubbi për herë të parë pas gati 12 mijë vjetësh

Stamboll

Autoritetet e Indisë të trafikut ajror po përgatiten për ndërprerje të mundshme pasi një shpërthim i rrallë vullkanik në Etiopi ka lëshuar re masive hiri drejt nënkontinentit indian, transmeton Anadolu.

Vullkani Hayli Gubbi në Etiopinë verilindore ka shpërthyer për herë të parë pas pothuajse 12 mijë vjetësh.

Vullkani, i vendosur pranë kufirit me Eritrenë, sipas Qendrës Këshilluese për Hirin Vullkanik të Tuluzës (VAAC), lëshoi kolona të dendura të hirit që arrinin deri në 14 kilometra në atmosferë para se aktiviteti të ndalej më vonë gjatë ditës.

Edhe pse vetë shpërthimi është ndalur, të dhënat e qendrës VAAC tregojnë se reja e madhe e hirit vazhdon të lëvizë drejt lindjes, pasi ka kaluar tashmë mbi Jemen dhe Oman dhe tani po lëviz drejt Indisë veriore.

Drejtoria e përgjithshme e Aviacionit Civil të Indisë lëshoi një njoftim duke u kërkuar linjave ajrore të shmangin korridoret dhe lartësitë ajrore të prekura, duke paralajmëruar se hiri vullkanik mund të dëmtojë rëndë motorët e avionëve, të zvogëlojë dukshmërinë dhe të dëmtojë avionikën.

Kompanitë ajrore janë udhëzuar të raportojnë çdo anomali, duke përfshirë problemet e performancës së motorëve, tymin e kabinës së pilotit ose aromat e pazakonta, që mund të tregojnë gëlltitje të hirit.

Aeroportet në të gjithë Indinë perëndimore dhe veriore gjithashtu janë vendosur në gatishmëri. Zyrtarëve u është thënë të inspektojnë pistat për ndotje të mundshme të hirit dhe të jenë të përgatitur për të vonuar ose pezulluar operacionet nëse kushtet përkeqësohen.

Parashikimet sugjerojnë se hiri mund të përhapet mbi Indinë veriperëndimore dhe qendrore brenda 12 orëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın