Bota

Shefja e Komisionit të BE-së paralajmëron për përshkallëzimin e fushatës ruse kundër Evropës

“Është koha ta quajmë me emrin e saj. Kjo është luftë hibride dhe ne duhet ta marrim shumë seriozisht”, tha von der Leyen

Melike Pala  | 08.10.2025 - Përdıtësım : 08.10.2025
Shefja e Komisionit të BE-së paralajmëron për përshkallëzimin e fushatës ruse kundër Evropës

Brussels Hoofdstedelijk Gewest

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se shkeljet e dyshuara të fundit ruse të hapësirës ajrore dhe infrastrukturës kritike të vendeve anëtare të BE-së përbëjnë një “fushatë koherente dhe përshkallëzuese” për të shqetësuar qytetarët tanë, për të testuar vendosmërinë tonë dhe për të përçarë bashkimin tonë”, transmeton Anadolu.

Shefja e Komisionit të BE-së foli në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg mbi shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të BE-së.

“Ky nuk është ngacmim i rastësishëm. Është një fushatë koherente dhe përshkallëzuese për të shqetësuar qytetarët tanë, për të testuar vendosmërinë tonë, për të përçarë bashkimin tonë dhe për të dobësuar mbështetjen tonë për Ukrainën dhe është koha ta quajmë me emrin e saj. Kjo është luftë hibride dhe ne duhet ta marrim shumë seriozisht”, tha von der Leyen.

Në ditët e fundit, disa vende evropiane kanë raportuar fluturime të paidentifikuara me dronë që shkaktuan mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore dhe alarme sigurie. Zyrtarët i kanë lidhur gjithnjë e më shumë incidentet me Rusinë, e cila ka mohuar përfshirjen.

Brukseli, nga ana tjetër, ka çuar përpara një iniciativë për të ndërtuar një "mur me dronë" përgjatë kufijve lindorë të BE-së.

"Fluturimet janë pezulluar, avionët janë ngritur në ajër dhe kundërmasat janë vendosur për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë. Mos u gaboni, kjo është pjesë e një modeli shqetësues të kërcënimeve në rritje në të gjithë bashkimin tonë", shtoi ajo.

Duke bërë thirrje për një mbrojtje evropiane më të fortë dhe më të koordinuar, shefja e Komisionit Evropian u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të pajisin bllokun me një "kapacitet strategjik për t'iu përgjigjur" natyrës në ndryshim të luftës.

Ajo tha se agjenda e BE-së "Gatishmëria 2030" synon të mobilizojë deri në 800 miliardë euro (929 miliardë dollarë) në shpenzime për mbrojtje deri në vitin 2030, në koordinim të ngushtë me NATO-n.

Ministrja daneze e Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre, duke folur në emër të presidencës së BE-së, gjithashtu dënoi veprimet "e papranueshme" që synojnë hapësirën ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë. Ajo bëri thirrje për një përgjigje evropiane "të qartë, të bashkuar dhe të vendosur".

"Ne duhet t'i dërgojmë një mesazh të fortë Rusisë. Evropa qëndron e bashkuar. Ne mbrojmë sigurinë tonë, vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën dhe na duhet një mentalitet vërtet panevropian, sepse kërcënimet shkojnë përtej kufirit lindor", tha ajo.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.