Bota

Shefja e diplomacisë së BE-së: Situata në Gaza “shumë të rëndë”, Izraeli të zbatojnë marrëveshjen humanitare

“Një gjë është të arrihet një marrëveshje në letër, por krejt tjetër është zbatimi i saj. Ne nuk po shohim përmirësim të mjaftueshëm në terren”, tha Kallas

Aysu Biçer  | 14.07.2025 - Përdıtësım : 14.07.2025
Shefja e diplomacisë së BE-së: Situata në Gaza “shumë të rëndë”, Izraeli të zbatojnë marrëveshjen humanitare Foto: AA/Arkiv

Londër

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, e ka cilësuar “shumë të rëndë” situatën në Gaza, si dhe ka deklaruar se “për këtë arsye duhet të shohim përmirësime të vërteta në terren”, transmeton Anadolu.

Para një takimi ministror midis BE-së dhe vendeve të Fqinjësisë Jugore në Bruksel, Kallas theksoi se megjithëse javën e kaluar u arrit një marrëveshje me Izraelin për dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza, “vetëm fjalët nuk mjaftojnë”.

“Një gjë është të arrihet një marrëveshje në letër, por krejt tjetër është zbatimi i saj. Ne nuk po shohim përmirësim të mjaftueshëm në terren”, tha Kallas.

Ajo shtoi se më shumë kamionë me ndihma po hyjnë tani në Gaza, por theksoi se kjo “nuk mjafton” dhe kërkoi zbatim më të fortë të marrëveshjes.

“Të gjithë kanë theksuar se duan të shohin përmirësim të situatës për njerëzit në terren. Kjo është padyshim çështja për të cilën do të flasim sot”, tha Kallas.

Ajo gjithashtu konfirmoi se Irani do të jetë pjesë e diskutimeve në takim, përfshirë negociatat për programin bërthamor dhe çështjet më të gjera rajonale.

Ukraina

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Kallas përshëndeti deklaratat e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Është shumë pozitive që presidenti Trump po mban një qëndrim të fortë ndaj Rusisë. Por, nga ana tjetër, 50 ditë janë një kohë shumë e gjatë, nëse marrim parasysh se civilët e pafajshëm po vriten çdo ditë”, tha Kallas.

“Është e qartë se të gjithë duhet të ushtrojmë më shumë presion ndaj Rusisë që edhe ajo të dëshirojë paqe. Është mirë që amerikanët po ndërmarrin hapa. Dhe shpresoj që po japin ndihmë ushtarake, ashtu siç po bëjnë evropianët”, shtoi ajo.

Më herët, Trump kërcënoi se do të vendosë 100 për qind tarifa dytësore ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për paqe brenda 50 ditëve.

Presidenti amerikan njoftoi se SHBA-ja do të furnizojë Ukrainën me armë përmes NATO-s, por se aleatët evropianë do të mbulojnë të gjitha shpenzimet. Ai gjithashtu tha se sistemet raketore amerikane Patriot do t’i dorëzohen Ukrainës “brenda pak ditësh”.

Takimi, i bashkë-kryesuar nga Kallas dhe komisarja e BE-së për Mesdheun, Dubravka Suica, mbledh zyrtarë të lartë nga i gjithë rajoni, përfshirë edhe Sirinë për herë të parë pas 11 vitesh.

Çështjet kryesore për diskutim përfshijnë sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe krizën humanitare në Gaza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.