Shefi i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës jep dorëheqje mes një riorganizimi "të konsiderueshëm"
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy i ngarkon Vasyl Mailukut detyrën që t'i bëjë "operacionet asimetrike të Ukrainës më të fortat në botë"
Stamboll
Shefi i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), Vasyl Maliuk tha sot se po jep dorëheqje, pas njoftimit të presidentit Volodymyr Zelenskyy në fillim të këtij muaji për riorganizim "të konsiderueshëm", transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të SBU-së të publikuar në Telegram, Maliuk tha se do të mbetet brenda sistemit të shërbimit për të zbatuar "operacione speciale asimetrike të nivelit botëror, të cilat do të vazhdojnë të shkaktojnë dëme maksimale" për Rusinë.
"Jam i sigurt se një shërbim special i fortë dhe modern është çelësi i sigurisë së shtetit tonë. Ndryshimet që presidenti i Ukrainës po zbaton në sektorin e mbrojtjes synojnë këtë dhe e falënderoj atë", shtoi ai.
Zelenskyy, në një deklaratë të veçantë në kompaninë amerikane të mediave sociale X, shkroi se u takua me Maliukun, duke e falënderuar për "shërbimin e tij luftarak" dhe duke i propozuar që ai të përqendrohet në këtë linjë pune në veçanti.
"Unë i ngarkova Vasyl Maliukut detyrën që operacionet tona asimetrike t'i bënte më të fortat në botë. Burimet dhe mbështetja politike e nevojshme janë në vend", tha Zelenskyy duke shtuar se ata diskutuan për kandidatët e mundshëm për ta zëvendësuar atë si shef të SBU-së.
Ai tha të premten se Ukraina do t'i nënshtrohej ndryshimeve të brendshme "thelbësore" për të rritur rezistencën. Maliuk mori pozicionin e shefit të SBU-së në vitin 2023.
Agjencia e sigurisë ka kryer shumë "operacione" të profilit të lartë që atëherë, përfshirë sulmet ndaj aeroporteve ushtarake të Rusisë dhe bombarduesve strategjikë në qershor të vitit të kaluar.
