Shefi i OKB-së: Kërkimi për ushqim nuk duhet të jetë një dënim me vdekje për palestinezët në Gaza
“Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka dominuar titujt kryesor. Por nuk mund të lejojmë që vuajtjet e palestinezëve në Gaza të shtyhen në hije”, tha Guterres

Hamilton
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar kundër katastrofës humanitare në rritje në Rripin e Gazës, duke theksuar se “kërkimi për ushqim nuk duhet të jetë një dënim me vdekje”, raporton Anadolu.
“Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka dominuar titujt kryesor. Por nuk mund të lejojmë që vuajtjet e palestinezëve në Gaza të shtyhen në hije”, tha Guterres në një konferencë për media në selinë e OKB-së në New York, duke shtuar se “armëpushimi i arritur midis Iranit dhe Izraelit ofron shpresë dhe shpresa është më e nevojshme se kurrë”.
Duke bërë thirrje për veprime të menjëhershme për të lehtësuar ndihmën humanitare, Guterres tha se, "Kërkimi për ushqim nuk duhet të jetë kurrë një dënim me vdekje. Më lejoni të jem i qartë, Izraeli, si fuqi pushtuese, duhet të bjerë dakord dhe të lehtësojë ndihmën humanitare".
Ai theksoi nevojën për zgjidhje urgjente dhe praktike për të siguruar që ndihma të arrijë tek ata që kanë nevojë.
"Ne kemi nevojë për veprime konkrete në mënyrë që ndihma të arrijë tek të gjithë njerëzit, shpejt, në shkallë të gjerë, kudo që janë. Çdo operacion që kanalizon civilët e dëshpëruar në zona të militarizuara është në thelb i pasigurt. Ai po vret njerëz", tha Guterres.
"Problemi i shpërndarjes së ndihmës humanitare duhet të zgjidhet. Nuk ka nevojë të shpikësh rrotën me skema të rrezikshme", shtoi ai.
Shefi i OKB-së tha se OKB-ja ka “zgjidhjen, një plan të detajuar të bazuar në parimet humanitare të njerëzimit, paanshmërisë, neutralitetit dhe pavarësisë”.
“Ne kemi furnizimet. Ne kemi përvojën”, theksoi ai.
I pyetur lidhur me një raport të gazetës Haaretz që zbuloi se ushtarët izraelitë të vendosur në Gaza janë urdhëruar të hapin zjarr ndaj civilëve palestinezë të paarmatosur që presin ndihmë humanitare, edhe kur nuk ka kërcënim, Guterres tha: "Epo, nuk kemi nevojë për raportin e kësaj natyre për të pranuar se ka pasur shkelje masive të së drejtës ndërkombëtare".
"Dhe në të vërtetë, kur ka një shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duhet të ketë llogaridhënie", pohoi ai.
Duke iu përgjigjur akuzave të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) që e akuzoi OKB-në për një fushatë dezinformimi në lidhje me vrasjet pranë pikave të tyre të shpërndarjes së ushqimit, Guterres tha: "Ne nuk i shpikëm imazhet që të gjithë i kanë parë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.