Shefi i OKB-së i "zhgënjyer" nga vetoja e SHBA-së ndaj armëpushimit në Gaza
“Është e qartë se ne mund të jemi efektivë në mbështetjen e njerëzve në Gaza vetëm nëse ka një armëpushim të përhershëm”, tha Antonio Guterres

Ontario
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu zhgënjim në lidhje me veton e SHBA-së ndaj një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit që bënte thirrje për “armëpushim të menjëhershëm, pa kushte dhe të përhershëm” në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
“Kemi parë në armëpushimin e kaluar, se si ishte e mundur të mobilizohej ndihma masive humanitare për njerëzit në Gaza”, tha Guterres gjatë një konference për shtyp në selinë e OKB-së në New York, duke kërkuar që kjo të “ndodhë përsëri”, por përgjithmonë.
Në përgjigje të pyetjes se çfarë mund të bëjë më shumë OKB-ja, Guterres tha: “Është e qartë se ne mund të jemi efektivë në mbështetjen e njerëzve në Gaza vetëm nëse ka një armëpushim të përhershëm, nëse ka lirim të pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe nëse ka qasje të pakufizuar për ndihmë humanitare”.
“Sigurisht”, tha ai lidhur me atë nëse ishte i zhgënjyer me rezultatin e së mërkurës të projektrezolutës së fundit, duke shtuar se “ne jemi gjithmonë të zhgënjyer kur armëpushimi nuk materializohet, nuk lirohen pengjet dhe ndihma humanitare nuk shpërndahet ose shpërndahet në një mënyrë që vë në rrezik jetën shumë palestinezëve”.
Komentet vijnë pas deklaratave të tij të bëra në lidhje me punonjësit e vrarë të OKB-së, ku ai i përshkroi ata si njerëz që “kërkojnë të bëjnë ndryshim”.
“Kur shpërthen konflikti, ata punojnë për paqen. Kur godasin dhuna dhe fatkeqësitë, ata ofrojnë ndihmë shpëtimtare. Kur shkelen të drejtat, ata flasin hapur”, tha ai, duke e quajtur “nder të jetës” të punosh me personelin e OKB-së.
Ai vuri në dukje se OKB-ja “nuk do ta pranojë vrasjen e personelit të OKB-së. Ne nuk do ta pranojmë vrasjen e humanitarëve, gazetarëve, punonjësve mjekësorë ose civilëve si normalitetin e ri kudo dhe në asnjë rrethanë”.
“Nuk duhet të ketë vend për pandëshkueshmëri”, theksoi ai.
I pyetur për çështjen e pandëshkueshmërisë dhe nëse Izraeli duhet të mbahet më përgjegjës, Guterres tha: “Fatkeqësisht, sot në botë, kemi pandëshkueshmëri kudo”.
Lidhur me konferencën e ardhshme të OKB-së në New York, e cila do të kryesohet nga Franca dhe Arabia Saudite, për të diskutuar perspektivat e një zgjidhjeje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën, Guterres tha: “Mesazhi im për udhëheqësit dhe delegacionet botërore është se është absolutisht thelbësore të mbahet gjallë perspektiva e zgjidhjes me dy shtete, me të gjitha gjërat e tmerrshme që po shohim në Gaza dhe në Bregun Perëndimor”.
Lidhur me shpërfilljen e zgjidhjes me dy shtete, Guterres pyeti: “Cila është alternativa? A është zgjidhja me një shtet, në të cilën ose palestinezët dëbohen ose palestinezët do të detyrohen të jetojnë në tokën e tyre pa të drejta?”
“Kjo do të jetë krejtësisht e papranueshme”, tha shefi i OKB-së.