Shefi i OKB-së dënon vrasjen "mizore dhe çnjerëzore" të banorëve të Gazës gjatë kërkimit të ndihmave
- “Kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza”, tha Antonio Guterres.

Ontario
HAMILTON (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi “kategorikisht” vrasjen e fundit të kërkuesve të ndihmave në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Gjatë fundjavës në Gaza, pamë edhe më shumë të shtëna masive dhe vrasje të njerëzve që kërkonin ndihmë nga OKB-ja për familjet e tyre, një akt mizor dhe çnjerëzor, të cilin e dënova kategorikisht”, tha Guterres në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Duke vënë në dukje “lidhjet e thella midis zhvillimit dhe paqes”, Guterres tha: “Ne takohemi në sfondin e konflikteve globale që po i shtyjnë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm edhe më tej jashtë mundësive”.
“Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të punojmë për paqen në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.
Duke theksuar situatën në Gaza, Guterres tha se “ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve”.
Ai bëri thirrje më tej për “qasje të papenguar humanitare” në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, 86 persona, përfshirë 76 fëmijë, kanë vdekur nga uria dhe dehidratimi që nga tetori i vitit 2023. Zyra e Medias së Qeverisë së Gazës paralajmëroi se enklava është “në prag të vdekjes masive” pas më shumë se 140 ditësh mbylljeje pothuajse totale të të gjitha kalimeve.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 59.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje të sëmundjeve.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.