Bota

Shefi i NATO-s: 30 vende po punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën

"Vendet janë të përqendruara në garancitë e sigurisë që mund të hyjnë në fuqi pas një armëpushimi ose, mundësisht, një marrëveshjeje të plotë paqeje" tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

Rabia İclal Turan  | 19.08.2025 - Përdıtësım : 19.08.2025
Shefi i NATO-s: 30 vende po punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën

Washington

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se 30 vende po punojnë për një kornizë garancish sigurie për Ukrainën, duke theksuar se SHBA-ja tani është e përgatitur t'i bashkohet iniciativës, transmeton Anadolu.

Duke folur për FOX News pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe disa udhëheqës evropianë, Rutte i përshkroi diskutimet si "shumë të suksesshme" dhe tha se vendet janë të përqendruara në garancitë e sigurisë që mund të hyjnë në fuqi pas një armëpushimi ose, mundësisht, një marrëveshjeje të plotë paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.

"Pra, gjatë dy muajve të fundit, nën udhëheqjen e kryeministrit britanik, Keir Starmer dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, një grup prej tani 30 vendesh, përfshirë Japoninë dhe Australinë, po punojnë për këtë koncept të garancive të sigurisë", tha ai.

"Ajo që SHBA-ja kanë thënë tani është se SHBA-ja dëshiron të përfshihet në këtë. Saktësisht se çfarë nënkuptohet me përfshirjen e SHBA-së do të diskutohet gjatë ditëve në vijim", tha Rutte.

Trump zhvilloi një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, e cila rezultoi në një marrëveshje për të mbajtur një takim midis Putinit dhe Zelenskyyt përpara një samiti trepalësh.

"Ai arriti, në një bisedë me presidentin Putin, që Putini të binte dakord për një takim Putin-Zelenskyy. Pra, tani ata do të diskutojnë se ku do të zhvillohet ky takim," tha ai.

I pyetur nëse u trajtuan lëshimet territoriale nga Ukraina, Rutte tha se kjo çështje nuk u diskutua në Washington.

Ai gjithashtu theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte pjesë e bisedimeve aktuale.

"Qëndrimi zyrtar i NATO-s që nga samiti i vitit 2024 është se ekziston një rrugë e pakthyeshme për Ukrainën në NATO. Por ajo që po diskutojmë këtu nuk është anëtarësimi në NATO. Ajo që po diskutojmë këtu janë garancitë e sigurisë të tipit Artikull 5 për Ukrainën", tha Rutte.

Komentet e Ruttes erdhën pasi Trump takoi atë, Zelenskyyn dhe disa udhëheqës evropianë në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar hapat e ardhshëm në përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit.

Udhëheqësit që morën pjesë në bisedime përfshinin kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Friedrich Merz, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe presidentin finlandez, Alexander Stubb.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.