Shefi i mbrojtjes izraelite premton mos tërheqje të plotë nga Gaza dhe territoret e okupuara siriane
Ai gjithashtu premtoi të ndërtojë baza të reja ushtarake në veri të Gazës, në vend të vendbanimeve që u evakuuan pas tërheqjes izraelite në vitin 2005
Kuds/Stamboll
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka premtuar se Tel Avivi nuk do të tërhiqet kurrë plotësisht nga Rripi i Gazës apo nga territoret e okupuara siriane, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media në vendbanimet Beit El pranë Ramallahut në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor, siç raporton gazeta Yedioth Ahronoth, Katz tha se janë vendosur thellë brenda Gazës dhe se “kurrë nuk do të largohen të gjithë nga Gaza”.
Ai gjithashtu premtoi të ndërtojë baza të reja ushtarake në veri të Gazës, në vend të vendbanimeve që u evakuuan pas tërheqjes izraelite në vitin 2005.
“Kur të vijë koha, në veri të Gazës, do të ndërtojmë njësitë Nahal në vend të komuniteteve (izraelite) që u zhvendosën”, tha Katz, duke lavdëruar kabinetin aktual izraelit si një qeveri “vendbanimesh”.
Sipas gazetës izraelite Haaretz, njësitë Nahal janë një program ushtarak ku grupe të rinjsh izraelitë bëjnë vullnetarizëm së bashku dhe më pas formojnë komunitete civile.
Rreth 750 mijë kolonë izraelitë të paligjshëm jetojnë në qindra vendbanime në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë 250 mijë në Kudsin Lindor. Kolonët e paligjshëm kryejnë sulme ditore ndaj palestinezëve me qëllim zhvendosjen e tyre me forcë.
Në lidhje me shkeljet izraelite të sovranitetit sirian, Katz pa dhënë detaje të hollësishme tha se “nuk do të lëvizim asnjë centimetër nga Siria”.
Të dhënat e qeverisë siriane tregojnë se që nga dhjetori i vitit 2024, Izraeli ka kryer mbi 1 mijë sulme ajrore mbi Sirinë dhe më shumë se 400 sulme ndërkufitare në provincat jugore.
Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi okupimin e Lartësive të Golanit në Siri duke marrë zonën tampon të demilitarizuar, një lëvizje që shkel marrëveshjen e vitit 1974 me Sirinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
