Shefi i diplomacisë turke: Izraeli është bërë “aktor mashtrues”
“Strategjia e llogaritur e ekspansionizmit dhe destabilizimit të Izraelit kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit. Nën regjimin e Netanyahut, Izraeli është bërë një aktor mashtrues i verbuar nga ëndrrat e një Izraeli të Madh", tha ai

Ankara/Stamboll
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se Izraeli është bërë një "aktor mashtrues i verbuar nga ëndrrat e një Izraeli të Madh", duke paralajmëruar se veprimet izraelite në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Siri kërcënojnë stabilitetin e të gjithë rajonit, transmeton Anadolu.
Fidan kryesoi Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) gjatë Takimit Vjetor Koordinues të mbajtur në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Sipas burimeve diplomatike turke, Fidan tha se gjenocidi i vazhdueshëm i Izraelit në Gaza dhe përpjekjet për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar, së bashku me strategjitë e tij më të gjera ekspansioniste, paraqesin “rreziqet serioze” për paqen rajonale.
"Ne po përballemi me dy rreziqe urgjente. Së pari, gjenocidi në Gaza dhe përpjekjet e Izraelit për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe për të zhvendosur me forcë palestinezët. Së dyti, strategjia e llogaritur e ekspansionizmit dhe destabilizimit të Izraelit, e cila kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit tonë. Nën regjimin e Netanyahut, Izraeli është bërë një aktor mashtrues i verbuar nga ëndrrat e një Izraeli të Madh", tha Fidan.
Fidan u bëri thirrje shteteve anëtare të organizatës OIC të miratojnë një qëndrim të unifikuar dhe të vazhdojnë përpjekjet për të ndaluar të gjitha transfertat ndërkombëtare të armëve dhe municioneve në Izrael.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të rrugëve ligjore duke i shndërruar procedurat në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatën Ndërkombëtare Penale në mjete efektive për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Stabiliteti i Sirisë nuk mund të ndahet nga ai i rajonit
Fidan tha se stabiliteti i Sirisë nuk mund të ndahet nga ai i rajonit më të gjerë, duke shtuar se "është po aq jetike të ndalohen krimet e Izraelit në Siri”.
Ministri turk theksoi se sirianët do të kenë nevojë për mbështetje nga anëtarët e organizatës OIC- gjatë procesit të rindërtimit të vendit.
Ai gjithashtu paralajmëroi për një rritje të islamofobisë dhe sulmeve raciste që synojnë komunitetet muslimane në të gjithë botën, duke bërë thirrje për një përgjigje të bashkuar ndaj incidenteve të tilla.
Fidan përsëriti se çështja e Qipros dhe situata e pakicës muslimane turke në Trakinë Perëndimore mbeten dy prioritete kryesore në politikën e jashtme turke, duke u bërë thirrje shteteve anëtare të OIC-it të mbështesin të drejtat e turqve qipriotë dhe të krijojnë kontakt të drejtpërdrejtë me ta.
Më tej, ai theksoi se pakica muslimane turke në Trakinë Perëndimore dhe popullsia muslimane turke në Ishujt Dodekanezë vazhdojnë të përballen me "shkelje serioze" që u mohojnë atyre të drejtat dhe liritë e tyre themelore.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.