Shefi i diplomacisë turke do të marrë pjesë në një takim të fokusuar mbi Gazën në Miami
Ministri turk Fidan do të marrë pjesë në bisedimet në Miami, të udhëhequra nga i dërguari amerikan Steve Witkoff dhe të ndjekura gjithashtu nga përfaqësues nga Katari dhe Egjipti
Washington DC
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, do të marrë pjesë në një takim të fokusuar mbi Gazën në Miami të SHBA-së, transmeton Anadolu.
“Ministri ynë do të marrë pjesë në takimin e fokusuar mbi Gazën nesër në Miami, me zyrtarë pjesëmarrës nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.
Ministria turke njoftoi se në takim do të diskutohen edhe çështje të tjera rajonale.
Më herët, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për Anadolu se i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff, do të takohet me përfaqësues të Turqisë, Katarit dhe Egjiptit për të diskutuar fazën tjetër të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Takimi vjen gati dy muaj pasi hyri në fuqi një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.
Palestinezët e kanë akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritura të armëpushimit, që i dha fund luftës 2-vjeçare që ka vrarë mbi 70 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 395 palestinezë janë vrarë dhe 1.088 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
