Shefat e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian nesër në një vizitë historike në kryeqytetin sirian Damask
Ndalesa në Damask e zyrtarëve Costa dhe von der Leyen vjen në kuadër të turneut më të gjerë në Lindjen e Mesme që përfshin edhe Jordaninë dhe Libanin
Stamboll
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nesër do të fillojnë një vizitë zyrtare të parë të këtij lloji në kryeqytetin sirian Damask, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi ‘Alikhbaria’, dy udhëheqësit evropian do të kryesojnë një delegacion të nivelit të lartë, duke shënuar vizitën e parë nga zyrtarë të lartë evropian në Damask që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024.
Të hënën, Këshilli Evropian tha se Costa dhe von der Leyen do të udhëtojnë për në Damask më 9 janar për t’u takuar me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa.
Ndalesa në Damask vjen në kuadër të turneut më të gjerë në Lindjen e Mesme që përfshin edhe Jordaninë dhe Libanin.
Siç është planifikuar, dy udhëheqësit evropian sot do të marrin pjesë në samitin e parë BE-Jordani në Aman, para se të nisen për në Damask dhe Bejrut gjatë ditës së nesërme.
Vizita vjen pas angazhimit në rritje të BE-së me udhëheqjen e re të Sirisë. Në qershor të vitit 2025, komisarja e BE-së për Mesdheun, Dubravka Sucia, vizitoi Sirinë dhe tha se blloku evropian dëshiron ta shohë vendin të bëhet i qëndrueshëm dhe i begatë nën autoritetet e saj të reja.
Në maj të vitit 2025, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Damaskut nën regjimin e mëparshëm.
Vizita e ardhshme është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të mbështetur fazën kalimtare të Sirisë, për të promovuar stabilitetin dhe rindërtimin, si dhe për të mbështetur një proces politik të udhëhequr nga Siria, duke ruajtur njëkohësisht unitetin dhe sovranitetin e vendit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
