Bota

SHBA: Zgjedhjet presidenciale në Rusi "mund të përshkruhen vetëm si jodemokratike"

“Zgjedhjet e fundit presidenciale të Rusisë ndodhën në një mjedis të shtypjes intensive të zërave të pavarur dhe burgosjes, vdekjes ose internimit të pothuajse të gjithë opozitës së vërtetë politike”, tha kryediplomati amerikan Blinken

Michael Gabriel Hernandez  | 19.03.2024 - Përdıtësım : 20.03.2024
SHBA: Zgjedhjet presidenciale në Rusi "mund të përshkruhen vetëm si jodemokratike"

Washington DC

Zgjedhjet e fundit presidenciale në Rusi, në të cilat Vladimir Putin siguroi një mandat të pestë në detyrë, “mund të përshkruhen vetëm si jodemokratike”, tha sot Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, transmeton Anadolu.

“Zgjedhjet e fundit presidenciale të Rusisë ndodhën në një mjedis të shtypjes intensive të zërave të pavarur dhe burgosjes, vdekjes ose internimit të pothuajse të gjithë opozitës së vërtetë politike”, tha Blinken në një deklaratë.

“Këto hapa ilustrojnë shkallën në të cilën Kremlini u ka mohuar qytetarëve të tij një proces demokratik transparent e kuptimplotë. Në këtë sfond, këto zgjedhje mund të përshkruhen vetëm si jodemokratike”, shtoi ai.

Presidenti aktual Vladimir Putin mori 87,28 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale treditore të Rusisë, me 100 për qind të votave të numëruara, tha të hënën autoriteti zgjedhor i vendit.

Konkurrenti më i afërt i Putinit, Nikolai Kharitonov, i mbështetur nga Partia Komuniste e Rusisë, mori 4,3 për qind të votave, ndërsa Vladislav Davankov i Partisë së Re mori 3,84 për qind, i ndjekur nga kandidati i Partisë Liberale Demokratike të Rusisë Leonid Slutsky me 3,21 për qind, sipas shifrave zyrtare.

Zgjedhjet u mbajtën afërsisht një muaj pas vdekjes së liderit të opozitës Alexey Navalny, i cili vdiq në rrethana të pashpjegueshme.

Blinken tha se Navalny vdiq “pas vitesh ngacmimi dhe trajtimi mizor nga duart e autoriteteve ruse për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të nxitur demokracinë e vërtetë në Rusi”.

“Vladimir Putin po privon qytetarët rusë nga aksesi ndaj informacionit. Pavarësisht nga rezultati i paracaktuar i këtyre zgjedhjeve, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me ata që po ndjekin një të ardhme më të ndritur për Rusinë”, shtoi kryediplomati amerikan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.