SHBA, të paktën 2 të vdekur nga përplasja e dy avionëve në ajër
Policia konfirmoi viktimat dhe tha se të dy avionët ishin avionë me një motor me krahë fiks
Istanbul
Të paktën dy persona kanë humbur jetën të mërkurën pasi dy avionë të vegjël janë përplasur në ajër në aeroportin rajonal "Marana" në shtetin e Arizonës, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.
Departamenti i Policisë në Marana konfirmoi viktimat dhe tha se të dy avionët ishin avionë me një motor me krahë fiks.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se aeroporti rajonal "Marana" është një fushë e pakontrolluar dhe i identifikoi avionët si "Cessna 172S" dhe "Lancair 360 MK II", të cilët janë përplasur rreth orës 8:25 të mëngjesit me kohën lokale.
Në secilin avion kanë qenë nga dy persona. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) do të udhëheqë një hetim për përplasjen.
Përplasja erdhi ndërsa administrata e Donald Trumpit po shkarkon qindra punonjës provues të FAA-së përgjegjës për mirëmbajtjen e infrastrukturës kritike të kontrollit të trafikut ajror, theksoi të hënën Sindikata e Specialistëve Profesionistë të Sigurisë së Aviacionit (PASS).
