SHBA, sindikatat padisin administratën e Trumpit për shkurtimin e fuqisë punëtore të USAID-it
Dy sindikata kanë paditur administratën për shkurtimin e agjencisë amerikane, duke pretenduar se pushimet masive nga puna dhe ngrirja e ndihmës së huaj tejkalojnë autoritetin presidencial
Istanbul
Dy sindikata që përfaqësojnë punonjësit në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë ngritur padi kundër administratës së presidentit Donald Trump, duke sfiduar ligjërisht masat e saj për të zvogëluar fuqinë punëtore të agjencisë dhe për të ngrirë ndihmën e huaj, transmeton Anadolu.
Sipas një lajmi në CNN, padia është ngritur nga “Democracy Forward” dhe “Public Citizen Litigation Group” në emër të Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm dhe Federatës Amerikane të Punonjësve të Qeverisë.
Padia, e paraqitur në gjykatën federale në Washington, pretendon se presidenti Donald Trump po tejkalon autoritetin e tij duke nxitur ndryshime gjithëpërfshirëse që mund të eliminojnë mijëra vende pune dhe të ndalojnë ndihmën humanitare në mbarë botën, thuhet në lajm.
Në këtë veprim ligjor, si të pandehur gjenden Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe agjencitë e tyre përkatëse.
Sipas CNN-it, punonjësit e USAID-it janë informuar se shumica e fuqisë punëtore të agjencisë do të vendoset në pushim administrativ ose do t'u ndërpritet marrëdhënia e punës deri në fund të javës, me më pak se 300 anëtarë të stafit që pritet të mbeten. Një email i brendshëm, i cituar nga burime të shumta, tregoi se pothuajse të gjithë të angazhuarit e drejtpërdrejtë do të vendosen në pushim deri të premten në mesnatë.
USAID-i është nën vëzhgim politik, ndërsa administrata Trump po shqyrton bashkimin e tij me Departamentin e Shtetit në një përpjekje për të përmirësuar burokracinë federale.
Më 20 janar, Shtëpia e Bardhë njoftoi një ngrirje të buxhetit të USAID-it, duke përmendur si arsye prioritete të gabuara.
Trump pezulloi ndihmën zhvillimore për 90 ditë për të vlerësuar përputhshmërinë e saj me politikën e tij “Amerika së pari”, një veprim që ka ngjallur shqetësim midis organizatave globale të ndihmës.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë pohoi se nismat e USAID-it “nuk përputhen me interesat amerikane” dhe, në disa raste, “destabilizojnë paqen botërore”.
