SHBA, shumë institucione të medias refuzojnë rregullat e reja të Pentagonit për mediat
Pentagoni ka vendosur në zbatim rregullore të reja që kufizojnë temat për të cilat gazetarët mund të bëjnë lajm dhe u ka kërkuar anëtarëve të mediave të nënshkruajnë dokumentin që përmban këto rregulla

Ankara
Shumë institucione të medias në SHBA, përfshirë The New York Times, The Associated Press dhe The Washington Post, refuzuan të nënshkruajnë rregullat e reja të Departamentit të Mbrojtjes për mediat, të cilat e bëjnë të detyruar që gazetarët të hyjnë nën shoqërimin e zyrtarëve në zona të caktuara dhe ndalojnë marrjen e informacionit pa miratim zyrtar, transmeton Anadolu.
Departamenti i Mbrojtjes (Pentagoni) ka vendosur në zbatim rregullore të reja që kufizojnë temat për të cilat gazetarët mund të bëjnë lajm dhe u ka kërkuar anëtarëve të mediave të nënshkruajnë dokumentin që përmban këto rregulla.
Institucionet mediatike, përfshirë The New York Times, The Associated Press, Newsmax, The Washington Post, CNN, The Guardian, NPR, HuffPost, The Atlantic, The Hill, Axios dhe Reuters, argumentuan se këto rregulla shkelin lirinë e shtypit, të mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.
Reuters lëshoi deklaratë duke thënë se "Për shkak të angazhimit tonë për raportim të saktë, të paanshëm dhe të pavarur, ne nuk po i nënshkruajmë këto rregulla. Ne besojmë në lirinë e shtypit, rrjedhën e pakufizuar të informacionit dhe interesin publik, siç garantohet nga Kushtetuta e SHBA-së. Kufizimet e reja të Pentagonit i gërryejnë këto vlera thelbësore".
Newsmax, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, tha se rregullat e reja të Pentagonit janë "të panevojshme dhe të rënda" dhe shtoi se Departamenti i Mbrojtjes duhet ta rivlerësojë këtë çështje.
Sipas rregullave të reja të Pentagonit, anëtarët e mediave nuk do të jenë më në gjendje të hyjnë në shumicën e zonave të aksesueshme më parë pa një shoqërues nga Departamenti. Krahas kësaj, anëtarët e mediave që tashmë janë të akredituar në Pentagon do të duhet të nënshkruajnë një dokument që pranon të mos publikojë informacione të caktuara për të fituar akses (hyrjen) në Departament.
Sipas kësaj, anëtarët e mediave do të kenë nevojë për miratimin e një zyrtari për të publikuar këto informacione, edhe nëse këto informacione nuk janë "të fshehta".
Nga mediat është kërkuar të nënshkruajnë dokumentin deri në orën 17:00 sipas orës lokale sot dhe për ata që nuk e nënshkruajnë është njoftuar se duhet të kthejnë kartat e tyre të medias brenda 24 orëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.